Shqipëria në panairin e turizmit në Berlin, merr rolin si vendi i nderit për vitin 2025
Dritare.net
Me sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria do të jetë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, ITB Berlin, që zhvillohet nga data 5 deri më 7 mars në Gjermani.
Në këtë panair, Shqipëria do të prezantohet me një hapësirë kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike që do të prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin.
E pranishme do të jetë Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila e ka quajtur një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë dhe përgatitje për vitin 2025, ku Shqipëria do të jetë zyrtarisht “”Vendi i Nderit” në ITB Berlin, duke përfituar nga një program 1-vjeçar promovimi.
“Përfaqësimi i Shqipërisë në panairin më të madh të turizmit, ITB BERLIN në Gjermani, përmes një prezantimi dinjitoz ku gjatë tre ditëve, nga data 5 deri më 7 mars do të jemi bashkë me sektorin privat, për të paraqitur më të mirën e ofertës sonë turistike, me një axhendë të pasur aktivitetesh që do të kulmojë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit në ITB BERLIN 2025”, është shprehur Kumbaro në rrjetet sociale ku ka ndarë edhe spotin zyrtar të Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit do të ketë një sërë takimesh dhe aktivitetesh, ku përfshihet nënshkrimi i marrëveshjes zyrtare me ITB Berlin për të qenë “Vendi i Nderit” në vitin 2025, nënshkrimi i marrëveshjes me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit Zurab Pololikashvili për organizimin e takimit të 70 të Komisionit për Europën të UNWTO në Tiranë, pjesëmarrje në panelin e diskutimit “Quo Vadis, destinacionet rurale?”, apo takime me homologë si ai me Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë Mehmet Nuri Ersoy.
Gjithashtu pjesë e këtij panairi që nis ditën e nesërme, do të jenë edhe bashkitë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë të cilat do të prezantojnë programet e tyre të dedikuara të promovimit.
ITB Berlin operon sukesshëm prej vitit 1966 duke qenë panairi më i madh në botë i Turizmit në botë./L.F-dritare.net