
Shqipëria fitore spektakolare 4-2 ndaj Jordanisë në “Air Albania”
Dritare.net
Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga trajneri Silvinjo ka arritur një fitore bindëse me rezultatin 4-2 ndaj Jordanisë, në ndeshjen miqësore të zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”.
Përballë 9,265 tifozëve kuqezinj që mbushën shkallët e impiantit, Shqipëria tregoi karakter dhe forcë grupi, duke përmbysur rezultatin pas një starti të vështirë.
Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 27-të, por reagimi i kuqezinjve ishte i menjëhershëm.
Një autogol i Abualnadit riktheu baraspeshën, ndërsa më pas Armando Broja, Arbër Hoxha dhe Nedim Bajrami vulosën një fitore të merituar për djemtë e Silvinjos.
Në minutën e 90-të, Jordania arriti të shënojë golin e dytë, duke fiksuar rezultatin përfundimtar 4-2 në favor të Shqipërisë.
Ky sukses vjen në prag të ndeshjeve zyrtare që e presin Kombëtaren dhe tregon formën e mirë të skuadrës, e cila po përgatitet me ambicie për sfidat e ardhshme nën drejtimin e trajnerit brazilian./L.F-dritare.net

















