Shqipëria dhe Greqia nderojnë poetin dhe ish-diplomatin Daut Gumeni
Dritare.net

Daut Gumeni, jeta dhe vepra e tij: nga diplomacia në burgjet e komunizmit”, ishte titulli i simpoziumit të zhvilluar në qendrën kulturore të Bashkisë së Athinës, organizuar nga Autoriteti i Dosjeve dhe Ambasada Shqiptare në Greqi, në nder të ish-diplomatit dhe poetit Daut Gumeni.
Gjatë ngjarjes, vetë Daut Gumeni rrëfeu historinë e tij personale, duke përshkruar sukseset e karrierës diplomatike, por edhe vuajtjet gjatë burgosjes nën regjimin komunist.
Ambasadorja shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga, theksoi rëndësinë e figurës së Gumenit si një simbol të diplomacisë dhe kulturës shqiptare ndër breza, duke nënvizuar se studimi i jetës dhe veprës së tij ka një rol thelbësor në edukimin e brezave të ardhshëm.
Në ngjarje ishin të pranishëm edhe ish-ambasadorë grekë në Shqipëri, si dhe gazetarë grekë, duke dëshmuar vlerësimin e madh që figura e Gumenit ka fituar edhe në Greqi.
Pjesë e simpoziumit ishte edhe interpretimi i fragmenteve nga veprat e Gumenit, në shqip dhe greqisht, duke sjellë për publikun një pasqyrë të pasur të krijimtarisë së tij letrare./L.F-dritare.net