Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

SHBA: Veprimet e VV-së ndaj Listës Serbe dëmtojnë stabilitetin

SHBA: Veprimet e VV-së ndaj Listës Serbe dëmtojnë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) lidhur me përpjekjet e saj për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke i cilësuar ato si të shkurtpamë dhe përçarëse.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada amerikane ka theksuar se veprimet e tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë edhe rifillimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve, i cili është pezulluar që nga shtatori për shkak të veprimeve të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë të shkurtpamë dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Gjatë mbledhjes së fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dy anëtarët e VV-së votuan kundër certifikimit të Listës Serbe, ndërsa shtatë të tjerë abstenuan. Në favor votuan vetëm anëtarja serbe dhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. Si pasojë, Lista Serbe nuk mori votat e mjaftueshme për t’u certifikuar.

Kjo situatë kishte ndodhur edhe në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit si dhe në ato lokale të 12 tetorit, kur KQZ-ja fillimisht nuk e kishte certifikuar Listën Serbe, por më pas ishte urdhëruar ta bënte një gjë të tillë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Përveç SHBA-së, kritika kanë ardhur edhe nga ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë. Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e Kosovës si një demokraci multietnike dhe të prishin marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, i ka quajtur këto veprime si penguese dhe ka theksuar se zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike./L.F-dritare.net