SHBA pezullon përkohësisht operacionin në Ngushticën e Hormuzit. Test për një marrëveshjeje me Iranin
Dritare.net

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të pezullojnë për një periudhë të shkurtër operacionin ushtarak për të shoqëruar anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit, me qëllim që t’i japin hapësirë përpjekjeve diplomatike me Iranin.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se ky pezullim do të zgjasë “për një periudhë të shkurtër kohe” për të parë nëse një marrëveshje paqeje me Iranin “mund të finalizohet”. Megjithatë, ai theksoi se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të vazhdojë.
Operacioni amerikan, i quajtur “Project Freedom”, kishte për synim lirimin e anijeve tregtare të bllokuara në Gjirin Persik. Sipas Pentagonit, rreth 22,500 marinarë në 1,550 anije mbeten ende të bllokuar në rajon.
Nga ana tjetër, media shtetërore iraniane e ka cilësuar këtë vendim si një fitore për Teheranin, duke pretenduar se Trump është “tërhequr” dhe duke e akuzuar atë për përpjekje për të “mbuluar dështimin” e operacionit.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se faza ofensive e konfliktit me Iranin ka përfunduar dhe se SHBA ka arritur objektivat e saj.
E ardhmja mbetet e paqartë, por Uashingtoni shpreson që ky veprim të shihet si një gjest që mund të rikthejë Iranin në tryezën e negociatave./L.F-dritare.net