
SHBA bllokon fondet për SPAK-un? Bala: Gafa më e madhe e PD-s!
Dritare.net
Gazetari Anri Bala, i ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” në DritareTv, komentoi informacionet e fundit që flasin për një urdhër të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të financimeve për fondacione dhe organizata që, sipas tij, mbështesin destabilizimin e demokracive dhe propagandën në favor të George Soros.
“Ka informacione që SHBA, nëpërmjet Presidentit Trump, ka bllokuar financimet për shoqata dhe organizata. Është një urdhër i firmosur,” tha Bala.
“Pse po gëzon PD-ja nga këto urdhra të fundit? U bë kohë që të gjitha deklaratat e PD-së janë kundër SPAK, të cilin e cilësojnë si një organizatë kriminale, e cila përdoret nga Edi Rama për të sulmuar Sali Berishën. Nga ana tjetër, të gjithë përfaqësuesit e Partisë Demokratike në deklaratat e tyre në foltore, protesta, apo emisione, kërkojnë gjatë gjithë kohës arrestimin e Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Dhe nuk e kuptoj pse këtë gjë ia kërkojnë pikërisht SPAK-ut, kur opozita luftën e ka me pushtetin dhe kanë përballë organizmin kryesor të mbështetur nga Amerika që, në fakt, e ka goditur qeverinë në pushtet.”
Bala më tej shtoi se gëzimi i PD-së është i pabazuar, pasi sipas tij, mund të konsiderohet një gabim që opozita kërkon të largohet nga SPAK-u, një strukturë që, siç tha ai, ka realizuar veprime konkrete ndaj qeverisë.
“Asnjë parti opozitare apo institucion nuk ka mundur ta realizojë këtë. Prandaj, gëzimi i PD-së është një gëzim që nuk ka vend. SPAK-u, që nga një listë dëshirash për Edi Ramën, ka bërë një listë konkrete me emra të arrestuar, me burg, ose me urdhra hetimi. Kjo është gafë më e madhe që një parti politike mund të bëjë,” përfundoi gazetari Anri Bala./E.P-dritare.net

















