Sa para përfitoi Shqipëria nga turizmi në 2023-shin! Flet kryeministri Edi Rama
Dritare.net

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama mbajti konferencën tradicionale të fundvitit, në të cilën foli për arritjet e qeverisë gjatë vitit 2023. Kryeministri tregoi se sa të ardhura i kanë ardhur Shqipërisë vetëm nga turizmi gjatë këtij viti, që ishte me përmasa disa herë më të mëdha se vitet e shkuara.
“Faktikisht ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikimi të bërë qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ne besojmë se shifra përfundimtare do të jetë afër 4%. 3.7% apo 3.8%.
Të ardhurat kanë qenë më të larta se asnjë vit më parë dhe me një rritje të ndjeshme mbi ato të parashikuara.
Në 9 mujorin e parë vetëm nga turizmi Shqipëria ka përfituar 3.2 miliard euro të hyra, që është një shifër shumë e lartë dhe pa asnjë krahasim me vitet e mëparshme. E këtu dua të bëj një parantezë për të gjithë ata që gabimisht e shohin rritjen e numrit të turistëve të palidhur me ekonominë e tyre dhe rëndom komentojnë se nuk na duhen turistët, na duhet ekonomia. Në fakt, turistët janë një nga kanalet më të rëndësishme të rritjes e të zhvillimit ekonomik dhe turizmi konsiderohet pjesë e të gjithë zërave të eksportit.
Po ashtu ky vit ka pasur rënie të mëtejshme të papunësisë reale dhe sot jemi me një papunësi që është më e ulta e të gjitha viteve deri tani. 10.5% dhe synimi është që vitin e ardhshëm të fillojmë të zbresim hap pas hapi nën 10%.
Investimet e huaja direkte kanë arritur një vlerë mbi 1 miliard euro ose afro 60 milionë euro mbi vitin e shkuar.
Paga minimale këtë vit u rrit në vlerën e 40 mijë lekëve, që praktikisht përkon falë forcimit të monedhës vendase si asnjëherë më parë, me 400 euro.”, tha Rama ndër të tjera./K.C/dritare.net