Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rusia kërcënon SHBA-në: Do përgjigjemi nëse dërgoni Tomahawk në Ukrainë

Rusia kërcënon SHBA-në: Do përgjigjemi nëse

Rusia do të reagojë “në mënyrë të përshtatshme” nëse Shtetet e Bashkuara transferojnë raketa Tomahawk në Ukrainë, njoftoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, gjatë një takimi me gazetarë rusë.

Deklaratat e tij vijnë disa ditë pas komenteve të zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance, i cili tha se SHBA po shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës për këto raketa, të cilat mund të godasin objektiva deri në 1 600 kilometrash. Peskov nuk sqaroi cilat masa mund të marrë Moska.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski raportohet se ushtroi presion ndaj presidentit amerikan Donald Trump për furnizim me këto raketa gjatë takimit të tyre kokë më kokë, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 23 shtator.

Ukraina prej vitesh dëshiron pikërisht këto raketa, të cilat mund të fluturojnë në lartësi të ulëta, të kryejnë manovra shmangjeje dhe të riprogramohen gjatë fluturimit. Për këtë arsye, ato do t’i shërbenin për goditje ndaj qendrave të komandimit dhe pikave të furnizimit, thellë pas vijës së frontit. Sipas Zelenskyt, objektiva të ligjshme mund të jenë qendra të fuqisë, përfshirë edhe Kremlinin.

Sot Ukraina mbështetet në raketat perëndimore Storm Shadow me shtrirje 250 kilometrash. Nga ana tjetër, Rusia ka avantazh të konsiderueshëm me raketat kruz Kalibr dhe raketat balistike Iskander. Për t’u përballur me këtë, Ukraina është kthyer drejt sulmeve me dronë me shtrirje të madhe, duke targetuar depo karburanti, baza ushtarake dhe infrastrukturë larg zonave të luftës./K.C/dritare.net