
Rudina Hajdari rrëfen takimin e fundit dhe porosinë e rëndësishme që mori nga babai
Dritare.net
Deputetja, Rudina Hajdari ka rrëfyer për “Opinion” takimin e fundit me babanë e saj, Azem Hajdari, ditën që ai u vra.
“Ishim në një kafe, babi ishte shumë entuziast, po na përqafonte. Mamaja ishte 7 muajshe shtatzënë. Ishte një moment i ngrohtë dhe i bukur. Në momentin që u ndamë, rreth orës 8-8 e gjysmë, ai donte të shkonte në zyrë për të ndjekur lajmet. Në çast babi më mori ‘hopa’. Në momentin që u ndamë, ne po e prisnim në shtëpi, sepse do të vinte të hante darkë me ne. Pastaj ndodhi ngjarja, që ishte tronditëse për të gjithë Tiranën.”- tha Hajdari.
Pyetjes se cila ishte porosia më e rëndësishme që ka marrë nga babai deputetja iu përgjigj:
“Ishte fakti që zgjohej në mëngjes, një rutinë që bënte çdo mëngjes, ku pinte kos ose qumësht, e merrte në dorë dhe dilte në oborr, ku e prisnin një varg njerëzish. Ai ulej aty dhe i priste, i takonte, të gjithë me radhë. Unë isha fëmijë dhe më bënte përshtypje që njerëzit rrinin në radhë dhe ishin të duruar që ta takonin. Ajo që më bënte përshtypje ishte fakti që ai nuk lodhje kurrë. Padyshim që ne e dimë gjithë ngjarjen dhe e dimë kush e tërhoqi atë këmbëzën. Edhe drejtësia e ka shpallur se kush kanë qenë ata persona, por nuk kuptohet pse këta persona e kanë bërë këtë gjë, kur Azem Hajdari ishte njeriu i shqiptarëve dhe është dashur prej të gjithëve.”/K.C/dritare.net

















