
Rrëfimi i Dhimitër Gjokës: I veshur ushtar, me kokën qethur zero, konkurrova për spiker në Radio Tirana!
Dritare.net
Prej vitesh e kemi parë të jetë pjesë e pandarë e ekraneve tona shqiptare. Të gjithë padyshim e njihni spikerin e mirënjohur të lajmeve, Dhimitër Gjoka. Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, folësi, skenaristi dhe regjisori i njohur, Dhimitër Gjoka, prapaskenat e një jete të gjatë në media. Ai tregoi se, ndërsa shërbente si ushtar me kokën e qethur zero në regjimentin e helikopterëve, mori pjesë në një konkurs për spiker në Radio Tirana. Pavarësisht pamjes së tij ushtarake, ai u përzgjodh nga mbi 300 konkurrentë, duke u cilësuar si një “Kiço Fotiadhi i dytë”, një nga spikerët më të njohur të kohës. Ky moment shënoi fillimin e karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme në median shqiptare.
“Ka qenë nëntor dhe isha në radio Tirana aty është kontakti i parë Radio Tirana. Asokohe unë isha ushtar i republikës popullore socialiste. Isha me kokë t qethur zero, ushtar te regjimenti i helikopterëve. Mbarova maturën në Vlorë, kisha dy motra që u kishte dalë e drejta e studimit dhe ne të tjerët që vinim mbrapa ishim të djegur. Aty në regjimentin e helikopterëve u zhvillua një takim teatror midis regjimenteve dhe fati i madh që te na erdhi për regjisore Maria Logoreci. Për mua ishte një ëndërr. Po kur erdhi aty domethënë unë u befasova sepse unë në tërë vitet e gjimnazit, edhe në tetëvjeçare në Vlorë isha aktivizuar me teatrin e profesionist të Vlorës. Ashtu sikundër bënim konkurset teatrore midis shkollave të mesme dhe unë u dallova, teatri profesionist i Vlorës më tërhoqi si figurant, domethënë si amator për të më aktivizuar në ato role që kishte nevojë, për role dytësore që nuk i plotësonin dot aktorët profesionistë. Ku erdhi te regjimenti i helikopterëve, Maria Logoreci do vinte në skenë një dramë “Ulliri i Kosbardhit” dhe më dha rolin kryesor. E dhamë shfaqjen në repartin e ushtrisë dhe unë u dallova në rolin kryesor që më kishin dhënë me superlativa. U takova për herë të parë aty me Kadri Roshin me Violeta Manushin, me disa aktorë të tjerë të mëdhenj të teatrit popullor. Pas sa muajsh rastisi që në regjiment ishte oficer dhëndri i një prej shefave kryesor në Radio Tirana dhe më thotë: “Dimitër ti me këtë zë, me këtë staturë dhe njohuri që ke për artin bëhet një konkurs në Radio Tirana dhe mund të shkosh të konkurrosh. Unë mora leje nga regjimenti dhe shkova. U gjenda mes mbi 300 konkurruesve për spiker të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, mësues, inxhinierë. Çuditërisht në fund pasi më dëgjojnë, me një entuziazmë të madh thonë: “Ka ardhur një Kiço Fotiadhi i dytë në Radio Tiranë” Kiço Fotiadhi ishte spiker i parë i Radio i Televizionit Shqiptar. Njëkohësisht ai ushtronte të dyja spikerimet, edhe në radio, edhe në televizion, por e kishin dënuar për një arsye në biografi dhe ishte larguar nga mikrofoni i radios. Pra unë e fitova konkursin për të qenë pjesëtar i kolektivit të Radio Tiranës.”, tregon Dhimitër Gjoka në DritareTV./K.C/dritare.net

















