Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rikthehet skandali Epstein, çfarë tregojnë dosjet e reja!

Rikthehet skandali Epstein, çfarë tregojnë dosjet e reja!

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka publikuar grupin më të madh të dokumenteve të lidhura me Jeffrey Epstein, që nga hyrja në fuqi e ligjit për transparencën vitin e kaluar. Bëhet fjalë për rreth tre milionë faqe, 180 mijë imazhe dhe 2 mijë video, të cilat u bënë publike të premten.

Publikimi vjen gjashtë javë pasi departamenti nuk arriti të respektojë afatin ligjor të nënshkruar nga Donald Trump, i cili kërkonte që të gjitha dosjet e lidhura me Epstein të hapeshin për publikun.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche deklaroi se ky publikim “shënon përfundimin e një procesi gjithëpërfshirës shqyrtimi për të garantuar transparencë dhe pajtueshmëri me ligjin”.

Çfarë përmbajnë dosjet
Dokumentet përfshijnë informacione mbi kohën e kaluar të Epstein në burg, raportin e tij psikologjik, rrethanat e vdekjes në qeli në vitin 2019, si dhe materiale hetimore për Ghislaine Maxwell, e dënuar për ndihmë në trafikimin e vajzave të mitura.

Një pjesë e rëndësishme e dosjeve janë email-e që tregojnë marrëdhëniet e Epstein me figura të njohura politike, ekonomike dhe shoqërore, shumica e të cilave datojnë më shumë se një dekadë më parë.

Epstein u dënua në vitin 2008 në Florida për ngacmim seksuale ndaj një vajze 14-vjeçare, pas një marrëveshjeje të diskutueshme me prokurorinë, ndërsa në vitin 2019 vdiq në burg teksa priste gjyqin për akuza të reja për trafikim seksual.

Lidhje me familjen mbretërore britanike
Dokumentet hedhin dritë mbi raportet e Epstein me elitën britanike. Ato përfshijnë email-e mes tij dhe një personi të identifikuar si “Duka”, që besohet të jetë Prince Andrew, ku diskutohet për takime private dhe prezantime me një grua ruse.

Në dosje shfaqen gjithashtu email-e që dyshohet se janë shkëmbyer me Sarah Ferguson, ish-bashkëshorten e Andrew, ku ajo i referohet Epstein si “mik i dashur” dhe “legjendë”. Emailet nuk provojnë shkelje ligjore, por kanë rihapur debatet mbi marrëdhëniet e tij me familjen mbretërore.

Pagesa dhe kontakte politike
Dokumentet tregojnë se Epstein i ka dërguar 10 mijë paund bashkëshortit të Lord Peter Mandelson në vitin 2009. Në email-e të tjera, vetë Mandelson kërkon të qëndrojë në një nga pronat e Epstein, gjatë kohës kur ky i fundit vuante dënimin.

Mandelson, i emëruar ambasador britanik në SHBA në fund të vitit 2024, është distancuar nga miqësia e tij e kaluar me Epstein, duke thënë se ka qenë i mashtruar prej tij.

Trump
Presidenti Donald Trump përmendet qindra herë në dokumente. Dosjet përfshijnë akuza të paverifikuara të raportuara në FBI, por Departamenti i Drejtësisë thekson se pretendimet ndaj tij janë “të pabaza dhe të rreme”. Trump ka mohuar çdo lidhje me krimet e Epstein dhe nuk është akuzuar nga viktimat.

Email-e me Elon Musk
Në dokumente përfshihet edhe korrespondencë mes Epstein dhe miliarderit Elon Musk, ku ky i fundit pyet për festa në ishullin e Epstein. Megjithatë, nuk ka prova që Musk të ketë udhëtuar ndonjëherë atje. Përfaqësuesit e tij janë kontaktuar nga BBC për koment.

Reagimi i Bill Gates
Një zëdhënës i Bill Gates i ka quajtur “absurde dhe plotësisht të rreme” pretendimet e rënda që shfaqen në disa dokumente të hartuara nga Epstein, duke theksuar se ato tregojnë vetëm përpjekjet e tij për shpifje.

A ka mbaruar saga?
Megjithëse Departamenti i Drejtësisë deklaron se procesi ka përfunduar, demokratët në Kongres thonë se miliona faqe të tjera mund të jenë ende të fshehura pa arsye të qarta ligjore. Ligji lejon redaktime vetëm për mbrojtjen e viktimave ose hetimeve aktive, por shumë dokumente janë publikuar me censurë të gjerë.

Zyrtarët pranojnë se dosjet nuk përmbajnë emra konkretë të personave që kanë abuzuar, duke theksuar se nëse do të ekzistonin prova të tilla, do të kishte ndjekje penale.

Për rrjedhojë, mbetet e paqartë nëse publikimi i fundit do të mbyllë përfundimisht një nga skandalet më të errëta të dekadave të fundit, apo nëse beteja për transparencë do të vazhdojë./ BBC