Rexhepi: Sfida e Brahos është të mbajë standardin e vendosur nga Dumani!
Dritare.net

Klodian Braho është zyrtarisht drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), pasi mori 7 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në garën për pasuesin e Altin Dumanit.
Braho është cilësuar si një nga figurat me mbështetjen më të fortë të SHBA-së. Ky vlerësim u pasqyrua edhe nga një foto e publikuar nga Ambasada Amerikane, ku Braho shihej në takim me një zyrtare të lartë amerikane, interpretim që është marrë si sinjal besimi dhe mbështetjeje për kandidaturën e tij.
Në analizat e emisionit Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, Margarita Kola dhe Artan Rexhepi kanë zbërthyer profilin e 43-vjeçarit nga Skrapari, i cili vjen me një karrierë të gjatë dhe të pandërprerë në sistemin e drejtësisë.
Ata theksuan se Braho pritet të ruajë standardet e larta të SPAK dhe t’i çojë ato edhe më tej, ndërsa sfida kryesore e tij mbetet balancimi mes efikasitetit dhe cilësisë së hetimeve.
Diskutimi u zhvendos tek pritshmëritë konkrete dhe krahasimi i pashmangshëm me paraardhësin Altin Dumani. Rexhepi përdori një metaforë të fuqishme sportive, duke e cilësuar Dumanin si 'Sergei Bubka' i drejtësisë shqiptare, i cili ka vendosur një steke (rekord) shumë të lartë me goditjet ndaj niveleve më të larta të politikës. Sipas tij, Braho është i 'dënuar' që minimalisht të barazojë këtë rezultat, pasi çdo hap pas do të ishte dështim për SPAK-un. Rexhepi theksoi se fakti që Braho ka kaluar të gjitha filtrat e vetingut dhe kontrollet e imtësishme të shërbimeve të huaja, jep garanci për integritetin e tij.
Një detaj që tërhoqi vëmendje gjatë prezantimit të platformës ishte vendimi i Brahos për të përdorur një gotë personale uji, gjest që u interpretua si shenjë e kujdesit dhe disiplinës së tij.
Me një mandat trevjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje, Braho pritet të udhëheqë fazën e radhës së goditjeve ndaj korrupsionit të nivelit të lartë, nën pritshmëri të larta publike dhe ndërkombëtare./E.P-dritare.net