
Reagon për herë të parë Besa Shahini pas ngjarjes në Kamëz!
Dritare.net
Për herë të parë që kur u publikua lajmi i abuzimit seksual të rojës së një shkolle në Kamëz, me një minorene 15-vjeçare, ka reaguar ministrja e Arsimit Besa Shahini.
Edhe pse nuk e ka përmendur rastin direkt, Shahini është shprehur se “shkolla duhet të shndërrohet në një hapësirë të sigurt, ku nxënësi ndihet që mund të denoncojë dhunën që e ka përjetuar, apo të paraqesë çfarëdo shqetësimi që ai mund të ketë”.
“Do të dyfishohet numri i psikologëve dhe punonjësve socialë përmes një riorganizimi të stafit arsimor që tashmë ka filluar. Ata do të trajnohen për çështjet gjinore dhe për çështje të ngacmimit dhe abuzimit seksual, në mënyrë që të adresojnë këto tema të ndjeshme sa më mirë që të jetë e mundur në shkollë”, thekson ajo në video-mesazh.
Ndër të tjera, Ministrja Shahini shprehet se “janë vendosur tashmë protokollet e veprimit të shpejtë, në mënyrë që sapo të bëhet një denoncim, të përjashtohen nga puna ata që janë denoncuar dhe të ndiqen penalisht. Kjo tashmë ka ndodhur për rastet që janë denoncuar dhe personat në fjalë janë duke vuajtur dënimet e merituara”.
Ministrja Shahini kërkon edhe bashkëpunimin e medias, si një lojtar kyç në raportimin në mënyrën më të mirë dhe më të ndjeshme në rastet e dhunës kundër grave e vajzave, apo abuzimit seksual.
" Ne duhet të punojmë së bashku që të ndryshojmë kulturën dhe të shndërrohemi në një shoqëri më të mirë që mbron grupet e margjinalizuara, një shoqëri më të mirë për fëmijët tanë”.-thotë Shahini./ I.M-Dritare.net

















