
Rama: Ujësjellësit janë kthyer në sektorë punësimi, me njerëz që marrin rrogën kot
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama sot nuk kurseu kritikat ndaj kryebashkiakëve sot në mbledhjen bashkë me ata në kryeministri. Rama ngriti problemin e ujësjellësve duke theksuar se janë kthyer në sektorë punësimi me njerëz që marrin rroga kot.
“Nga një anë, janë bërë investimet më të mëdha seç janë bërë ndonjëherë tjetër, përfshirë edhe vitet më parë, edhe për plehrat, edhe për ujin, por për ujin do flasim javën tjetër. 800 milionë euro ka investuar kjo qeveri, së bashku me donatorët, por donatorët nuk është se i sjellin paratë dhuratë, janë fonde të këtij populli. 800 milionë euro dhe humbjet në rrjet dhe trajtimi i sektorit të ujit si një sektor punësimi nëpër ndërmarrje të mbingarkuara me njerëz që marrin rroga kot, ndërkohë që çdo vit rritet borxhi i bashkive, është bërë rutinë por kjo është temë tjetër.
Flas për mbetjet. Prandaj, sot që po përgatiten buxhetet është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të qartë se asnjë buxhet bashkiak nuk do ta kalojë dot filtrin e prefektit nëse kalon filtrin e këshillave bashkiakë dhe jo vetëm ministrja, por dhe unë personalisht do vij të dëshmoj përpara këshillave bashkiak në rast se do informohem që kryetari i bashkisë çon një buxhet që nuk i përgjigjet kostos së pastrimit”, tha Rama./L.F-dritare.net

















