Rama: Situata e ujësjellësve alarmante. Do krijohet Operatori Kombëtar i Ujit
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka shpallur nisjen e një hapi të ri në sektorin e ujit, me krijimin e një Operator Kombëtar të Shpërndarjes së Ujit, që do të marrë përsipër menaxhimin e burimeve ujore në të gjithë vendin.
Në një deklaratë publike, Rama tha se trashëgimia e lënë nga fragmentimi i ujësjellësve në 58 ndërmarrje ka sjellë pasoja katastrofike, duke i cilësuar borxhet, politizimin dhe keqmenaxhimin si shkaqet kryesore të situatës së sotme.
“Fragmentimi në emër të decentralizimit ishte një katastrofë. Borxhet e larta, paaftësia në menaxhimin e lidhur me politizimin ekstrem dhe mungesa e ekspertizës sollën situata të pajustifikueshme,” tha Rama.
Kryeministri dha si shembull situatën e Vlorës, ku sipas tij, furnizimi me ujë gjatë sezonit turistik ka qenë alarmant. “Niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm,” theksoi ai.
Rama njoftoi gjithashtu një plan masash për të ndaluar abuzimet me ujin, përfshirë heqjen graduale të depozitave në pallate, të cilat i cilësoi si një rrezik potencial.
“Kjo është koha për të nisur punën me planin e heqjes së depozitave, hap pas hapi, duke shpjeguar përfitimet për qytetarët,” u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas tij, krijimi i Operatorit të Ujit është “zgjidhja e vetme” për të garantuar shërbim cilësor dhe furnizim të qëndrueshëm me ujë në të gjithë vendin, veçanërisht në kushtet kur turizmi kërkon standarde gjithnjë e më të larta./L.F-dritare.net