Rama pas takimit me opozitën parlamentare: Duhet konsensus trepalësh. Gati të flasim për hapjen e listave
Dritare.net
Kryeministri i vendit, Edi Rama pas deputetëve të PS-së zhvilloi një takim 80-minutësh me përfaqësues të opozitës parlamentare, për të diskutuar për Reformën Zgjedhore. Në përfundim të takimit, përmes një prononcimi për gazetarët, Rama u shpreh se nuk u arrit një marrëveshje, por sipas tij, PS-ja është e gatshme të negociojë një formulë hapjeje të listave zgjedhore.
“Kemi një konflikt në themel, i cili lidhet me marrëveshjen që kemi bërë me opozitën jashtë parlamentare. Për mua ajo është një bazë, në të cilën mund të shtojmë, por jo të heqim. Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë hapjen e listave, jemi të gatshëm të diskutojmë për ta formalizuar gjatë procesit të diskutimeve për të arritur në një konsensus trepalësh. Por në një konsensus të tillë të gjithë duhet të pranojnë diçka që nuk e dëshirojnë. E para, kemi nevojë për një mazhorancë të gjerë në kuvend, e cila është shumë përtej asaj që ne kemi. E dyta, PS nuk do të angazhohet në procese kapje të një vote këtu dhe të një vote atje për të bërë një ligj kaq themelor. Unë nuk kam ndonjë respekt më të madh për ata që janë jashtë se ata që janë brenda, i respektoj të gjithë. Në këtë aspekt, unë dua të jap një mesazh të qartë: Është e vërtetë që një shumicë dërrmuese e qytetarëve shqiptarë duan të kenë më shumë zë në proces, duan të kenë mundësinë jo thjesht të zgjedhin një program, një parti, një lider, por të kenë një preferencë për një kandidat apo një tjetër. Kjo është e qartë dhe ne jemi PS dhe e kemi sfidë me vetveten që të jemi pasqyrë ku reflektohen dëshirat e njerëzve. Por, marrëveshja është një pengesë e madhe për anën tjetër, për deputetët aktual të opozitës dhe ata duhet të pajtohen me idenë se këtë pengesë duhet ta kapërcejnë. Nuk mundemi dot t’i rikthehemi marrëveshjes edhe pse unë jam me ata.”, tha Rama./K.C/dritare.net