Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama paralajmëron masa të rrepta kundër ndërtimeve pa leje: Do hiqen të gjitha, hap pas hapi

Rama paralajmëron masa të rrepta kundër ndërtimeve pa leje:

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të ndërmarrë masa të ashpra ndëshkuese për të ndalur fenomenin e ndërtimeve pa kriter në zona publike dhe urbane. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje përmes një portali të posaçëm që do të hapet së shpejti.

"Është e rëndësishme të kuptohemi që ideja nuk është të ndëshkojmë, por të pastrojmë. Do hiqen të tëra, hap pas hapi. Kemi nisur dhe do vazhdojmë me ndërhyrje në zona si ‘21 Dhjetori’, ‘Komuna e Parisit’, ‘5 Maji’ dhe më tej", u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së hapësirave publike, sidomos të plazheve publike, duke thënë se ato nuk mund të reduktohen në "zona bosh", por duhet të ofrojnë kushte për të gjithë, pa u uzurpuar nga ndërtimet abuzive.

“Do bëjmë ndëshkime të atilla që të mos t’i shkojë më njeriu mendja të fillojë lojën nga e para”, theksoi Rama, duke paralajmëruar ndërhyrje rigoroze.

Ai gjithashtu njoftoi se po bashkëpunojnë me një nga ekspertët më të njohur të urbanistikës në botë, i famshëm për konceptin e "Super-blloqeve të Barcelonës", për të nisur projekte të reja urbane në qytete të ndryshme të vendit.