Rama në Samitin BE–Ballkani Perëndimor: Evropa duhet të tregojë guxim për zgjerimin
Dritare.net

Në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tivat të Malit të Zi, kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për një qasje më të guximshme të Bashkimit Europian ndaj zgjerimit. Duke folur për mediat para nisjes së punimeve të samitit, ai theksoi se koha e justifikimeve dhe e argumenteve për rreziqet e zgjerimit ka përfunduar, ndërsa vendet e rajonit presin hapa konkretë drejt integrimit evropian.
“Nëse Europa dëshiron t'i dërgojë një mesazh të fortë botës dhe t'i japë energji vetes, duhet të thotë se, ashtu siç jemi sot të gjithë rreth së njëjtës tryezë, duhet të jemi gjithmonë aty, secili me statusin e vet, derisa të bëhemi anëtarë të plotë. Kjo ide është e thjeshtë dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye është më e vështirë të kuptohet. A është kjo për shkak të Ukrainës? Jo, nuk thashë se është tepër vonë. Thashë se nuk mjafton. Ajo që duhet të bëjmë ne është t'u japim më shumë kurajë atyre që të shtyjnë përpara më fort. Pastaj u takon atyre të vendosin. Shpresoj që dy miqtë e mi të mëdhenj dhe liderët e respektuar të Francës dhe Gjermanisë të gjejnë më shumë energji për të qenë më shumë si Helmut Kohl dhe François Mitterrand. Argumenti i rrezikut tashmë ka marrë fund. E kam dëgjuar për shumë vite. Kam parë njerëz që vijnë e ikin, ndërsa unë vazhdoj të jem këtu. Shumë prej tyre ikën pasi u ishte thënë vazhdimisht: "Prisni edhe pak, do t'ju fusim brenda". Në fund, ata dolën jashtë. Prandaj nuk bëhet fjalë për një dhomë pritjeje, por për më shumë integrim. BE-ja duhet të gjejë kurajën për një moment të ri si ai i Helmut Kohlit: të gjithë bashkë rreth tryezës, secili duke përmbushur detyrat e veta për të marrë më shumë përgjegjësi dhe përfitime. Nuk u thua fëmijëve: "Qëndroni te fqinjët derisa të jeni gati të hani me ne". Sepse njëri mund të njohë gangsterë rusë në lagje, tjetri mund të magjepset nga kukullat kineze, e kështu me radhë. Jo. Fëmijët duhen mbajtur bashkë”, tha Rama./K.C/dritare.net