
Rama: Në mandatin e tretë do të bëjmë më shumë se të gjitha vitet e tjera së bashku!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama tha sot kur ishte në Gramsh se në mandatin e tretë do të bëjnë më shumë gjëra se kanë bërë në 8 vjet qeverisje. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të votojnë më 25 prill, ta ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur atë që duan.
“Gabon duke menduar që po i ktheu shpinën politikës dhe kutisë së votimit është jashtë mundësive që politika të merret me të prapa shpine. Sa më pak njerëz të zakonshëm të merren me politiken aq më shumë është e mundur që politika të bjerë në duar të këqija e aq më shume njerëz të zakonshëm vuajnë prej vendimmarrjeve të këqija. Sa më shumë njerëz të merren duke vendosur atë që duan aq më shumë mundësi ka që politika të bjerë në duar të mira e vendimmarrjet të jenë më të mira. Edhe rindërtimi i shtëpive bëhet nga politika nuk vjen nga qielli, edhe lufta me armikun e padukshëm, politika ka sjellë edhe nazizmin edhe fashizmin edhe diktaturën komuniste por pa politikën kurrë s’do kishte arritur këtu ku ka arritur shoqëria. Kurrë vajzat e gratë s’do kishin të drejtën e votës, pa politikë s’do kishte BE. Sa më shumë marrin pjesë aq më e mirë është politika për ta, sa më shumë e braktisin aq më shumë janë të dënuar nga vendimet e këqija të politikës. Përpara 8 vitesh në fushatën e parë fituese kam ardhur në Gramsh e u kam thënë që ne do bëjmë ne 4 vitet e ardhshme më shumë se sa bënë të tjerët në gjithë këto vite bashkë dhe e mbajta fjalën. Në 2017 kam ardhur e kam thënë do bëj edhe më shumë, sot ju them ju e gjithë shqiptarëve ky mandat i tretë s’është për mua, duke u nisur nga bazat që kemi hedhur, ngrehina që kemi lartësuar në gjithë sektorët është mandati ku ne do bëjmë më shumë për Shqipërinë se në gjithë vitet e tjera marrë së bashku përfshirë dhe dy mandatet tona.”,- tha Rama./K.C/dritare.net

















