Rama merr ftesën nga presidenti Trump, kryeministri: Jashtëzakonisht krenar për Shqipërinë
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka marrë një ftesë personale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në një Bord Ndërkombëtar të Paqes, një organizatë e re e ideuar dhe e kryesuar nga vetë Presidenti amerikan.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se Shqipëria është ftuar si anëtare themeluese e këtij bordi, duke e cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme për vendin dhe një tregues të respektit dhe vlerësimit ndërkombëtar ndaj rolit të saj.
“Jam jashtëzakonisht krenar për Shqipërinë dhe për gjithçka kemi bërë këto vite, duke e kthyer në një vend të respektuar botërisht si asnjëherë më parë”, shkruan Kryeministri, duke theksuar se kjo ftesë lidhet drejtpërdrejt edhe me nivelin e lartë të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Ramës, ftesa nga Presidenti Trump për të qenë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar dhe drejtuar prej tij përbën një vlerësim të posaçëm për Shqipërinë dhe një tjetër hap në rritjen e profilit të saj në arenën ndërkombëtare.
Postimi i Kryeministrit mbyllet me një mesazh falënderimi ndaj Presidentit amerikan dhe urime për dy vendet: “God Bless Albania and the United States”.
"Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit trump, për ta përfaqësuar shqipërinë në bordin e paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me shtetet e bashkuara të amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti donald j. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të", shkruan kryeministri Rama./L.F-dritare.net