
Rama: Me hyrjen në BE, rriten pagat për punonjësit shqiptarë
Dritare.net
Gjatë takimit me përfaqësues të bizneseve në Lezhë, kryeministri Edi Rama tregoi rëndësinë e investimeve në punonjës nga ana e sipërmarrësve shqiptarë, duke u shprehur se është bërë e qartë se shfrytëzimi i krahut të punës nuk mund të vazhdojë pa motivim dhe mirëmbajtje. Rama tha gjithashtu se me hyrjen në BE të Shqipërisë do të rriten edhe pagat e punonjësve shqiptare.
“Sipërmarrësit shqiptarë investuan shumë më tepër për godinat e makinat sesa menduan për punëtorët. Sot ka kthesë të rëndësishme edhe për faktin se e kanë kuptuar se nuk shkon dot më përpara me shfrytëzimin e krahut të punës. Ka disa degë ne disa vende të BE dhe me strategjinë për ta kthyer Shqipërinë në një hapësirë ku të mbledhë të gjithë produktet nga vendet e tjera për t’i çuar në Evropën Perëndimore na jep provë të qartë të avantazhit që ka Shqipëria, strategjik, që po mundohemi ta mbështesim me infrastrukturë, rrugë e hekurudha ndërkohë që hapi tjetër i futjes në BE do ta bëjë më të lehtë për kompaninë si kompani evropiane që të rrisë kapacitetet, fitimet dhe padiskutim detyrimisht edhe mbështetjen financiare tuajën.
Të gjithë punonjësit e Shqipërisë duhet ta dinë se momenti i hyrjes në BE ndryshon menjëherë edhe pagat se bëhet më e lehtë për këdo që të shkojë edhe të thotë nuk ma bën mua pagën kaq, po shkoj ta marr për shembull në Irlandë”, tha Rama./K.C/dritare.net

















