
Rama i përgjigjet Ligës: Nuk na bëni dot presion, nuk shkon kjo historia e pronarëve që duan të shkarkojnë paratë e bizneseve të tjera
Dritare.net
I pyetur nga gazetarët sot në konferencën për shtyp në lidhje me financimin e futbollistëve, kryeministri Rama u përgjigj se nuk mund të lejohet që futbollistët të jenë 10 vjet pa asnjë taksë.
Kryeministri tha se për qeveria e tij, ka bërë shumë për sportin por shtoi se nuk mund t’i bëjnë presion disa biznesmenë dhe presidentë klubesh.
“Ne kemi bërë një ligj për sportin dhe kemi dhënë incentiva për futbollin që nuk i ka bërë asnjë më parë. Po që të na kërkojnë 10 vjet pa taksa kjo nuk funksionon. Jemi dakord për një periudhë starti, për të formalizuar pagat. Nuk mund të pranojmë që futbollistët të marrin 230 mijë lekë rrogë, marrin shumë më shumë por nuk i deklarojnë.
Patjetër një ulje fillestare, patjetër një TVSH 6% për një investime në sport, mund të shihet taksa për investimet në infrastrukturë. Jemi gati të bëjmë atë që duhet për zinxhirin e fëmijëve, por kjo historia që klube me pronarë që duan të shkarkojnë parat e bizneseve të tjera, kjo nuk shkon. As me biznesmenë që kanë veshur bluzën e futbollit dhe t'i bëjnë presion qeverisë, as kjo nuk shkon”, tha Rama./L.F-dritare.net

















