Të shtunën Giorgia Meloni mbërriti në Shtëpinë e Bardhë për vizitën e saj të dytë me presidentin amerikan Joe Biden në pak muaj.
Me të mbërritur, Biden e përshëndeti me një puthje: në video shihet se si i afrohet dhe e puth në kokë, ndërkohë që kryeministrja italiane ul shikimin dhe buzëqesh, me sa duket e zënë ngushtë, shkruan dritare.net. Zgjat vetëm një sekondë, por nuk i ka shpëtuar syrit të fotografit zyrtar të Palazzo Chigi-t. Fotoja u shpërnda menjëherë nga gazetat italiane, të cilat e kanë cilësuar si një përshëndetje të përzemërt.
Në rrjetet e saj sociale, kryeministrja nuk ka publikuar foto apo video me Biden, por vetëm ato në të cilat ajo njofton transferimin në Itali të Chico Fortit, i arrestuar në Shtetet e Bashkuara prej 24 vitesh pas një dënimi për vrasje. Zgjedhja është ndoshta politike.
Meloni u kritikua nga e djathta për afërsinë e saj me Bidenin (dhe në fakt në të njëjtat ditë, aleati-rivali i saj në koalicionin e krahut të djathtë, Matteo Salvini, nënvizoi mbështetjen e tij për ish-presidentin dhe kundërshtarin e Bidenit , Donald Trump). Një artikull në faqen e internetit Foxneës, kanali televiziv Trumpian, e akuzon atë se ka hequr dorë nga pozicionet e saj të mëparshme, duke kaluar "nga anti-globaliste në pro-evropiane", e përkufizon atë si "mikja e Bidenit që zemëron bazën" dhe pretendon se Meloni ka hequr dorë nga çdo politikë e djathtë dhe është “futur në shtrat” me globalistët./L.F-dritare.net