
Pse po korr suksese Altin Dumani! Flet avokati!
Dritare.net
Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar SPAK-un dhe drejtuesin Altin Dumani me titullin kampion i luftës ndaj korrupsionit. Vlerësimi është dhënë sot nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
Avokati i SPAK-ut Vladimir Meçi i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV tregon si e njeh Altin Dumanin, me të cilin ka punuar që në 2002-shin. Ai tregon se Dumani ka një mënyrë interesanti se si ka vendosur ta menaxhojë punën e SPAK-ut, duke mos ndërhyrë në punën e prokurorëve të kësaj prokurorie.
“Altin Dumani është një profesionist i zoti, me integritet, këmbëngulës, energjik. Ka dhënë rezultat në mënyrën se si po e menaxhon Strukturën e Posaçme. Veçoria e Reformës në Drejtësi ka qenë fakti që prokurorët janë të pavarur. Drejtuesi i prokurorisë nuk ka mundësi të ndërhyjë në hetimet e tyre dhe vetëm mund të japë ndonjë këshillë. Nuk mund të kryejë veprime, nuk mund të anulojë vendime, apo të diktojë. Altin Dumani ka gjetur një mënyrë për të menaxhuar strukturën. Ai nuk ka të drejtë të futet te puna e prokurorëve. Në çështje të rëndësishme ai bëhet pjesë e grupit hetimor. Duke u bërë pjesë, ai mund të bëjë veprime. Nuk ka asnjë pengese që ai te futet në çdo çështje. Unë e kam njohur Dumanin në çështjen e Arben Grorit në vitin 2002. Në këtë çështje ai bashkëpunonte me një prokuror tjetër. Unë isha avokat i Grorit, ai prokuror. Për aq sa e kam njohur është njeri korrekt. Nga 1-10 ai është 9.5. Por më duhet të them se ai është humanist. Ai nuk mund t’i bëjë të gjitha në SPAK. Sepse ka edhe prokurorë që i zvarrisnin çështjet më me interes publik, edhe kjo dëmton pak imazhin e SPAK-ut dhe vetë Dumanit. Por nuk është faji i Dumanit”, tha zoti Meçi në DritareTV./K.C/dritare.net

















