Ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të koronavirusit. Numri i të infektuarve dhe viktimave po rritet çdo ditë edhe më shumë në vendin tonë dhe në botë.
Ndonëse në një situatë të tillë, shumë njerëz nuk po i shmangin grumbullimet, e sidomos ato në vendet e mbyllura. Këto ditë kemi parë që kanë nisur edhe party-t në Tiranë dhe jo vetëm. Ndaj, të shqetësuar, vendosëm të shkruajmë një artikull paralajmërues, se përse nuk duhet të shkoni në party, në këtë kohë aspak normale. Është në dorën tuaj të na dëgjoni, ose jo.
Në botë, party-t kanë rezultuar fatale, duke infektuar shumë të rinj, të cilët me pavetëdije e kanë përhapur më tej virusin. Jo më larg se 5 ditë më parë, u infektuan 18 anëtarë të një familjeje, në një party ditëlindjeje në Teksas. Po ashtu në Filadelfia, në prill e morën virusin 10 familjarë, apo në beach party në Miami ku u infektuan shumë persona. E të mos flasim pastaj për rastin e pakujdesisë së princit të Belgjikës që shkeli rregullin e shkoi në party, u infektua vetë me virus, bashkë me të tjerë, madje infektoi edhe të tjerë.
Ju mund të shkoni në një party me shokët, familjarë, por nuk e dini që tjetri ka virus, e merrni dhe e përhapni më tej. Ndoshta juve nuk do t'ju gjejë gjë, do të jeni asimptomatikë. Por ama mund t'ia ngjisni virusin prindërve, ose më keq akoma, gjyshërve që janë mosha më e rrezikuar. Ndaj nuk ju gjen gjë po nuk vajtët në party tani. Prisni sa të rregullohet situata, ose mund të bëni një festë të vogël me njerëzit e shtëpisë, në shtëpi. Shmangini grumbullimet, qëndroni të sigurt!/K.C/dritare.net