
Politika na përzuri nga foleja jonë! Flet emigrantja në Athinë!
Dritare.net
Agetina Pacani iku nga Shqipëria në Athinë, në 1998-ën. Ajo erdhi në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv për të treguar historinë e jetës së saj, që nga largimi nga Shqipëria, te përpjekjet e vazhdueshme për t’u kthyer në Atdhe. Politika na përzuri nga foleja jonë, thotë Agetina për gazetaren Rudina Xhunga.
“Unë urrej që çdo ditë informohem nga politika. Unë jam një viktimë e politikes. Nëse dikur do m’i kishin dhënë bursën vajzës, të më kishin kërkuar dhe 5 mijë euro do t’i jepja, vetëm të jetoja në vendin tim, të dilja shëtitje në vendin tim, të jetoja e lirë. Por unë paskam qenë duke vrarë fëmijët e mi vetëm që të jetoja unë e lirë. Kurse sot fëmijët e mi nuk kanë asgjë në Shqipëri, veç kushërinj, asgjë tjetër, çdo gjë e kanë këtu. Greqia është sjellë mirë me vajzat e mia. Por respektin që do ta kishin në vendin e tyre, kurrë nuk do ta kenë këtu. Unë përpiqem vazhdimisht që t’ua mbush mendjen që të kthehen në Tiranë. Ato na thonë të kthehemi ne, unë dhe i ati, por vajzat jo. Politika e asaj kohe na hoqi nga foleja jonë. Ne kishim një fole të vogël, kishim punën, çdo gjë. Sot shikojnë vetëm lekun. Të rinjtë sot, nuk duan t’ia dinë për Shqipërinë. Thonë jemi 8-10 milionë shqiptarë. Nuk je shqiptar se bën vetëm shqiponjën me duar. Të rinjtë që kanë ardhur në Greqi, apo që kanë lindur këtu, nuk janë shqiptarë. Thonë jemi grekë nga Elbasani. E kam dëgjuar me veshët e mi. Politika në Shqipëri është e njëjta gjë si po veprojnë sot shoqatat këtu në Greqi. Shoqatat në vend që të na mbledhin, janë shpërndarë si kërpudhat mbas shiut, veç për përfitime personale. Unë kam 25 vjet në Greqi. Dhe akoma nuk kam një pasaportë greke. I futa letrat kur ishte Syriza. Kur e mori Micotaqisi i ashpërsoi procedurat. Ndaj hoqa dorë, nuk e dua më pasaportën. Vajzat kanë pasaportë, unë dhe burri nuk kemi. Kjo është politika që na ka lënë sikur jemi jetimë. Ne emigranëtët shqiptarë në Greqi, jemi si jetimë.”, tha zonja Pacani në DritareTv./K.C/dritare.net

















