
Policia gjobit Bes Kallakun, Metën dhe Kryemadhin, pas festës së ditëlindjes së aktorit
Dritare.net
Policia i ka vënë gjobë aktorit, Bes Kallaku pasi organizoi festën e madhe të ditëlindjes dy ditë më parë. Mes të gjobiturve janë edhe presidenti, Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Gjobë ka marrë edhe Ferma Uka ku u organizua festa.
"Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U., në bazë të aktit normativ nr 3 datë 15.03.2020.
Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.
Njëkohësisht Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë .
Drejtoria Vendore e Polcisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qyetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali apo qytetar që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për shëndetin e qytetarëve."-njofton policia./K.C/dritare.net

















