
Poliçani postbllok në qytet, nuk lejohen të hyjnë personat e ardhur nga Tirana!
Dritare.net
Bashkia e Poliçanit, ka ngritur në hyrje të qytetit të një postbllok ku verifikohet çdo person që hyn në qytet. Nëse rezulton të ketë ardhur nga qytetet e tjera, nuk lejohet të hyjë në qytet. Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ka thënë se është ndjerë i detyruar të marrë këtë masë, pasi qyteti i Poliçanit është më i rrezikuari nga të gjitha qytetet sepse në të jeton një kontingjent banorësh që ka punuar prej vitesh në Uzinën e Armëve dhe banorët vuajnë nga mushkëritë e sëmundjet profesionale.
“Me vendim të këshillit bashkiak, duke parë situatën e rëndë në të gjithë Shqipërinë dhe gjithë botën, qyteti i Poliçanit është qyteti më i rrezikuar pasi ka një kontingjent të tillë banorësh që kanë punuar prej vitesh në kombinatin mekanik në Poliçan, që janë të rrezikuar nga mushkëritë, dhe janë me kartela prej 20 vitesh. Janë 800 familje që rrezikojnë jetën nga momenti në moment dhe nëse ka një rast këto familje nuk i mbushin një orë. Për këtë u detyruam që të marrim masa të jashtëzakonshme. Me miratim edhe nga policia e shteti, ngritëm një postbllok i cili do të jetë filtër për qytetin tonë për të gjithë ish-banorët e qytetit që jetojnë në Itali apo në Tiranë që të mos lejohen të futen derisa të kalojë kjo epidemi.” /L.F-dritare.net

















