
Po sikur Suedia të ketë të drejtë, për koronavirusin?
Dritare.net
Nga Corriere della Sera
Të dhënat e reja që vijnë nga Suedia na detyrojnë të bëjmë disa rishikime. Ndërsa në shumë vende evropiane, nga Spanja në Britaninë e Madhe, infeksionet e Sars-CoV-2 po rriten sërish si në mars e prill, në Stokholm shifrat janë të ulëta.
Ne shpesh e kemi kritikuar mënyrën sesi Suedia po e menaxhon pandeminë, pa izoluar vendin dhe njerëzit. Rastet e reja, të raportuara në Suedi nga e marta në të premte, janë afërsisht me ritmin e fundit të marsit, ndërsa të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Shëndetit nxorën pozitive vetëm 1.2% të 120,000 testeve të javës së kaluar.
"Ne nuk po vuajmë nga rikthimi i sëmundjes si shumë vende të tjera."-tha Anders Tegnell, epidemiologu kryesor i vendit dhe njeriu që drejtoi menaxhimin e pandemisë.
"Në fund, ne do ta shohim se çfarë ndryshimi do të bëjë të pasurit e një strategjie më të qëndrueshme, e cila mund të ruhet për një kohë të gjatë, në vend të strategjisë së mbylljes, hapjes dhe mbylljes pa pushim."-shtoi ai. Në të gjithë vendin janë vetëm 5.800 viktima nga Covid-19, për 10 milionë banorë, informon dritare.net
"Vdekshmëria në Suedi ishte 0,06%, praktikisht e barabartë me atë të Italisë."-shpjegon Ugo Bardi, profesor në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Firences.
Sigurisht që ka patur edhe gabime në Suedi, siç e pranon vetë Tegnell. Për shembull, mungesa e mbrojtjes në shtëpitë e të moshuarve, ku u regjistruan shumica e vdekjeve nga Covid-19 në vend. Por në përgjithësi strategjia e dritës funksionoi. Një strategji që nuk kërkonte imunitetin e tufës, por të ngadalësonte epideminë në mënyrë që ajo të mos mbingarkonte sistemin shëndetësor.
Suedia mbylli shkollat për ata që ishin mbi 16 vjeç, ndaloi grumbullimet me më shumë se 50 persona dhe u kërkoi atyre mbi 70 vjeç dhe grupeve në rrezik të izolonin veten. Por në vend që ta impononte me dekret, shteti këshilloi qytetarët të ndjekin rregullat. Ata e bënë.
Në momentet më të vështira të epidemisë, në Suedi askush nuk këndonte nga ballkonet, por atmosfera e përgjithshme ishte shumë e ngjashme me atë që ishte në Itali. Pa trafik, lokale bosh, pak njerëz përreth, distancim, etj. Ndër të tjera, fluturimi brenda Suedisë u eliminua gjatë emergjencës, megjithëse nuk ishte i ndaluar. Kjo në vetvete nuk do të thotë se izolimi ishte i padobishëm në Itali, një vend ku epidemia po vazhdon prej muajsh pa e vërejtur autoritetet shëndetësore, atje ku infeksionet hodhën në erë sistemin shëndetësor më të mirë në Itali, atë që ishte në rajonin e Lombardisë.
Por, siç shkruan Walter Münchau në Financial Times, ne mund të nxjerrim mësime të dobishme nga rruga që ndoqën suedezët për epideminë. I pari: Ekzistojnë alternativa të vlefshme për izolimin e fortë të stilit kinez, nga i cili u frymëzua pothuajse gjithë bota. I dyti: Stop me konkluzionet e nxituara!
"Tani, statistikat e reja të infeksionit në Suedi janë më të mira se shumica e vendeve të BE-së. Por ende nuk duhet të nxjerrim konkluzione. Bëmë gabim që gjykuam dhe dënuam që në fillim strategjinë suedeze bazuar në ato të dhëna dhe do të ishte po aq e gabuar nëse nxjerrim përfundim të kundërt tani.", thotë Munchau./K.C/dritare.net

















