Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Petrit Halilaj jeton në Operën e Parisit si krijues i hapësirave për liri!

Petrit Halilaj jeton në Operën e Parisit si krijues i hapësirave

Parisi është adresa e artistit nga Kosova, Petrit Halilaj, gjatë muajit shkurt. Është përzgjedhur për rezidencë njëmujore në Operën e Parisit. Gjatë kësaj kohe Halilaj – veprat e të cilit janë ekspozuar në muzetë e galeritë më të njohura në botë – do të ketë mundësinë që të kalojë kohë me kastat e produksioneve operistike. Sipas programit me artistë në rezidencë do të krijojë një vepër, e cila nga pikëpamja e tij ndërlidh të kaluarën me të tashmen.

Rezidenca e njërës prej shtëpive operistike më të njohura në botë është ideuar me rastin e 150-vjetorit të Pallatit Garnier, që është një prej dy hapësirave që përdorën nga institucioni i Operës së Parisit, krahas atij që njihet si Opera Bastille. Pallati është ndërtuar para një shekulli e gjysmë si hapësirë e Operës së Parisit dhe në nderim të Perandorit Napoleoni III. Posedon një mijë e 979 ulëse dhe monumenti parisien përdoret më shumë për shfaqjet e baletit.

Programi i sivjetshëm me artistë bashkëkohorë është titulluar “Projekti 12”. Sipas të dhënave të Operës së Parisit, Pallati Garnier është një tempull unik i krijimtarisë artistike.

“Kjo nismë i bën jehonë frymës vizionare të Charles Garnier, i cili, gjatë ndërtimit të Teatrit të Operës, mblodhi së bashku artistët më të mëdhenj të kohës së tij – piktorët, skulptorët dhe artizanët e Perandorisë së Dytë – për të kompletuar këtë kryevepër arkitekturore”, shkruhet në njoftim.

Sa i përket rezidencës, Opera sqaron se të zhytur plotësisht në jetën e Operës së Parisit, artistët bashkëkohorë do të kenë mundësinë e rrallë të marrin frymëzim nga ritmet e saj të përditshme, të ndjekin provat dhe të angazhohen me valltarët, këngëtarët, muzikantët dhe zejtarët që mbajnë gjallë këtë institucion emblematik.

“Gjatë qëndrimit të tyre, çdo artist do të krijojë një vepër ekskluzive të frymëzuar nga përvoja e tyre dhe atmosfera unike e Pallatit Garnier, njësoj si paraardhësit e tyre të shekullit 19, të cilët të frymëzuar me vëllimet e Pallatit Garnier u dhanë formë veprave të tyre. Këto krijime, një dialog midis së shkuarës dhe së tashmes, do të dalin në ankand në fillim të vitit 2026, duke ua mundësuar klientëve të artit të mbështesin veprat bashkëkohore duke kontribuar në ndikimin e Operës së Parisit dhe duke përjetësuar traditën artistike që i dha formë kësaj hapësire legjendare”, shkruhet në njoftim. Aty qartësohet se përzgjedhja e artistëve është bërë nëpërmjet një dialogu midis vetë artistëve, galerive që i përfaqësojnë ata dhe ekipeve në Operës bashkë me Miqtë e Operës me qëllimin e përbashkët për të nderuar dhe mbajtur gjallë përsosmërinë vizionare të Charles Garnierit.

Kurse sa i përket prezantimit të Petrit Halilajt bëhet e ditur se ai ka ekspozuar në galerinë “Mennour” në Paris dhe është i dyti me radhë në rezidencë.

“Artisti kosovar Petrit Halilaj frymëzohet për punën e tij nga historia e fundit e atdheut dhe rrugëtimit të tij personal. Veprat e tij ambicioze – duke filluar nga skulptura, vizatimi dhe piktura deri te tekstet dhe performancat – shërbejnë si instrumente për kujtesë”, shkruan Opera e Parisit.

Sipas këtij institucioni, nëpërmjet instalacioneve që thurin narrativa të ndërlikuara, Halilaj eksploron ndërlidhjen e njerëzve, bimëve dhe kafshëve.

“Arti i tij krijon një hapësirë për liri, dëshirë, intimitet dhe identitet – një mbretëri elastike dhe rezistence ku historitë personale dhe kolektive mund të riformohen”, shkruhet në prezantimin që i ka bërë Opera e Parisit Halilajt. Imazhi i prezantimit të Halilajt e paraqet atë me një veshje që simbolizon dhelprën. Provokon edhe kësaj radhe sikurse herëve të tjera ku zakonisht luan me veshje që e paraqesin si shpend. Zakonisht shpezë nga Runiku i Skenderajt, vendlindja e tij. Vjet ia ka dalë që vendlindjen ta çojë deri në New York. Në prill të 2024-s ai arriti aty ku synon secili krijues në art bashkëkohor: Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Tarraca e një prej pikave më të vizituara të artit pamor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në fund të vjeshtës ka pasur rrëfime të gjeneratave të ndryshme në Kosovë e rajonin ballkanik.

“Abetare”, instalacioni poetik skulpturor i Halilajt, ka dërguar atje merimanga, mbishkrime, tituj këngësh, zogj e çka jo tjetër. Përjetime, zhgënjime, shpresë e imagjinatë të fëmijëve që dikur jetonin në ish-Jugosllavi, mandej në Kosovën e viteve ’90 nën okupim, fëmijëve që përjetuan luftën e mesazhe lirie të viteve të para të këtij shekulli. Gjithçka kishte nisur më 2010 kur shkolla e vjetër po zhdukej e të resë po i lëshohej vendi në fshatin e tij. Mbishkrimet mbi banka qenë “lënda e parë” për Halilajn. Artisti i lindur më 1986 e gëzon njëfarë fuqie që ky fshat – jo fort i njohur edhe për banorët e Kosovës – të jetë i pranishëm në majë të një prej muzeve më të njohur në botë. Në fund të 2023-s një “Boing 737” i “AeroMéxico” i Meksikës qe veshur me veprën e Petrit Halilajt dhe fluturonte në qiellin e dy kontinenteve. “Nga Runiku me dashni”, ishte mesazhi që la artisti i njohur botëror.

Se cili do të jetë mesazhi që do të lërë në Operën e Parisit, saktësisht në Pallatin Garnier, mbetet të shihet./E.P-dritare.net