
Përshkallëzohen tensionet në Mesdhe/ Greqia e Turqia pranë konfliktit të armatosur!
Dritare.net
Greqia ka pretenduar se Turqia ka shkelur hapësirën territriale detare të saj, ndërsa të dy vendet gjenden mes një tensioni gjithnjë e në rritje në Mesdheun Lindor, ku Turqia besohet se ka dërguar disa anije në ujërat grekë në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Turqisë, Hulusi Akar, theksoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat në Mesdheun Lindor.
Sipas një deklarate nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, Akar zhvilloi një takim me telekonferencë me Selinë e Shtabit të Përgjithshëm, Komandat e Forcave dhe komandantët e njësive në rajon.
I informuar nga komandantët e njësisë në lidhje me aktivitetet në vijim, Akar tha se anijes së kërkimeve sizmike Oruç Reis i janë siguruar shoqërues dhe mbrojtje nga Komanda e Forcave Detare.
Nga ana tjetër, mesditëne ditës së sotme, një varkë e rojës Bregdetare të ishullit të Rodos, në Greqi gjatë patrullimit të saj në zonën e detit pranë bregut perëndimor vuri re një jaht të bardhë, që po lëvizte me dyshim pranë brigjeve, njëkohësisht me drita të fikura.
“Pas përdorimit të vazhdueshëm të sinjaleve të ndriçimit nga ekuipazhi i Rojës Bregdetare, në mënyrë që jahti i dyshimtë të ndalej për kontroll, piloti i tij nuk e respektoi, por ngriti shpejtësinë, ndërsa kryente manovra të rrezikshme.
Të shtënat u drejtuan në zona të sigurta, në përputhje me rregullat e angazhimit, në mënyrë që jahti të ndalonte për kontroll. Pasi u ndoqën, jahti u zhvendos në brigjet turke dhe hyri në ujërat territoriale turke të shoqëruar nga dy roje turke”, thuhet në njoftimin e marinës greke.
Në një deklaratë për mediat, Greqia thotë se “nuk do të pranojë asnjë shantazh”, duke iu referuar kështu përplasjes me jahtin mesnatën e sotme.
Bashkësia ndërkombëtare u ka bërë thirrje dy vendeve që të ulin tensionet në Mesdhe, dhe të refuzojnë përshkallëzimin e tyre, që mund të nxisë një konflikt të armatosur mes dy vendeve./ I.M-Dritare.net

















