Përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë/ Senati në Itali miraton marrëveshjen për pensionet
Dritare.net
Mbi 500 qytetarë shqiptarë janë një hap afër përfitimit të pensionit sipas marrëveshjes së firmosur mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali kanë miratuar marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse.
Deputeti i PS-së, Etjen Xhafaj bën të ditur se ky është hapi i fundit dhe se tani mbetet votimi në seancë plenare, për këtë marrëveshje që prek me dhjetëra-mijëra shqiptarë.
”Dje ka kaluar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe ne Dhomën e Deputetëve në Itali, marrëveshja e pensioneve me Shqiperinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve perkatëse.
Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare, për këtë marrëveshje që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë. Falenderime për të gjithë ata nga pala italiane e shqiptaro-italianët që janë përfshirë në këtë marrëveshje që në gjenezë të saj”, shkruan Xhafaj në Facebook.
Ndërkohë marrëveshja në Parlamentin shqiptar është miratuar dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare. Objekti i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë, sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë. Janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri./K.C/dritare.net