Pensionistët në radhë për bonusin e fundvitit!
Dritare.net

Nga 1 dhjetori, pensionistët në të gjithë vendin mund të tërheqin bonusin e fundvitit të akorduar nga qeveria. Në total, nga kjo paketë shpërblimi do të përfitojnë 762,740 persona, të ndarë sipas nivelit të pensionit dhe kategorisë sociale ku bëjnë pjesë.

Sipas vendimit, 541 mijë pensionistë që marrin deri në 20 mijë lekë në muaj, do të përfitojnë një bonus prej 15 mijë lekësh të rinj, ndërsa 221 mijë pensionistë që marrin mbi 20 mijë lekë në muaj, do të marrin një shpërblim prej 10 mijë lekësh të rinj.

Nga totali i përfituesve, 640,325 janë pensionistë pleqërie, 2,322 pensionistë socialë, 65,232 persona me pension invaliditeti, 48,087 me pension familjar, si dhe 6,774 persona me trajtime të veçanta financiare, përfshirë minatorë të nëntokës, punonjës të ish-ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakë në pension të parakohshëm.

Bonusi prej 10 mijë lekësh do t’u jepet pensionistëve me të ardhura mbi 20 mijë lekë në muaj, si dhe atyre që përfitojnë trajtime të veçanta financiare apo pensione suplementare në këtë nivel. Ndërsa bonusi prej 15 mijë lekësh përfshin pensionistët me të ardhura deri në 20 mijë lekë, personat me pension invaliditeti dhe familjar, si dhe ata me trajtime të veçanta dhe profesione të vështira.

Personat që nuk do të kenë mundësi ta tërheqin bonusin gjatë muajit dhjetor, do ta kenë këtë mundësi deri më 30 qershor 2026. Pas kësaj date, e drejta për përfitimin e shpërblimit skadon.
Ndërkohë, gjatë muajit dhjetor pritet që qeveria të miratojë një tjetër Akt Normativ për ndryshime në buxhet, i cili do të vendosë nëse edhe familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike apo personat me aftësi të kufizuara do të përfshihen në skemën e bonusit të fundvitit./L.F-dritare.net