
PD: Klotilda Bushka të japë dorëheqjen!
Dritare.net
Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e deputetes së PS-së, Klotilda Bushka, pasi u mor nën hetim lidhur me akuzat për asgjësim provash lidhur me dosjen e Erion Veliajt.
Deputetja e PD, Dhurata Çupi, njëkohësisht nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, ka kërkuar largimin e Klotilda Bushkës nga drejtimi i Komisionit.
“Si nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, jam shumë e keqardhur për qëndrimin antishtet të mbajtur nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve gjatë hetimit të miqve të saj politikë dhe të biznesit, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa”, shkruan ajo.
Më pas shtoi se aktet për të cilat akuzohet ligjvënësja socialiste janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe penalisht.
Deklarata e plotë:
Përpëlitjet e Edi Ramës dhe zvarritja e tij pas prangave të Erion Veliajt kanë hedhur në erë qeverinë, Bashkinë e Tiranës dhe Kuvendin e Shqipërisë!
Qeverinë, sepse që nga sot, është dhënë mesazhi se kush vjedh, ka mbrojtjen e Edi Ramës!
Bashkinë e Tiranës, sepse është vendosur vija e kuqe e paprekshmërisë së korrupsionit!
Kuvendin e Shqipërisë, sepse është dhënë mesazhi publik se kush pengon të zbulohet korrupsioni, ka mbrojtjen e Edi Ramës!
Si nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, jam shumë e keqardhur për qëndrimin antishtet të mbajtur nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve gjatë hetimit të miqve të saj politikë dhe të biznesit, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa.
Pengimi i hetimeve, duke ndihmuar në shkatërrimin e telefonit si mjet për provat e korrupsionit të çiftit Veliaj-Xoxa;
Pengimi i hetimeve duke orientuar dëshmitarët të japin dëshmi të rreme;
Pengimi i hetimeve për të mësuar se kompania guackë e Ajola Xoxës kishte adresën e shtëpisë së Kryetares së Komisionit të ligjeve;
Të gjitha këto akte janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe penalisht.
Por ndërsa me pjesën penale le të merret SPAK-u, si opozitë, kemi detyrimin të ngremë zërin kundër keqpërdorimit të Parlamentit dhe Komisionit të Ligjeve në aferën korruptive të Erion Veliajt.
Komisioni i Ligjeve, Këshilli i Mandateve, Sekretariati për procedurat votimet dhe etiken, është keq përdorur këto vite për të mbrojtur paligjshmërinë e Edi Ramës përmes ligjeve me porosi, dënimit me porosi të opozitës apo mbrojtjen me porosi të mandateve antikushtetuese.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, duhet të japë dorëheqjen!
Komisioni i Ligjeve nuk duhet të merret zvarrë nga prangat e Erion Veliajt dhe pafuqia e Edi Ramës për të mbuluar korrupsionin e tmerrshëm të mazhorancës dhe qeverisë që drejton!/E.P-dritare.net

















