Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pas sulmit skndaloz të Ardian Ndrecës ndaj Auron Tares, reagon Primo Shllaku: Ky nuk është debat facebooku!

Pas sulmit skndaloz të Ardian Ndrecës ndaj Auron Tares, reagon Primo

Martin Camaj dhe Mikel Koliqi kanë qenë agjentë të shërbimeve të huaja, ky është përfundimi në të cilin ka dalë studiuesi Auron Tare, ndërsa për këtë çështje është hapur një debat mes historianëve dhe studiuesve.

Kështu, pas shkrimit të Tares, Ardian Ndreca në një sulm skandaloz dhe aspak akademik, sulmon Taren për përfundimet e tij.

“Lodhesh kot o Tare, deri dje kishit nji makineri të fuqishme dhune dhe shpifje që për 50-vjet nuk mbërrijti me i ba gja as Koliqit dhe as Camajt, asht peshë e randë për ty, manipulator mediokër dhe injorant në sensin pozitiv të termit, me zëvendësue i vetëm nji sistem të tanë! Pastro ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë, edhe me u çue në maje të gishtave!

Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij berberit që ka dyqanin përballë spitalit!”,- shprehet ndër të tjera Ardian Ndreca.

Nga ana tjetër në debat ka ndërhyrë, Primo Shllaku, i cili shkruan se debatet e tilla nuk duhet të zhvillohen në facebook, por kërkon një reagim të shpejtë nga Akademia e Shkencave.

Shkrimi i plotë i Primo Shllakut në Facebook:

“Përgjigje mikut tim, akademik Ardian Ndrecës, rreth shkrimit te tij për Auron Taren

I dashun Ardian, Auron Tare ka hapë nji diskutim shum delikat dhe, simbas meje, edhe të thelluem me material faktik. Por ai nuk mund ta zavendësojë Akademinë e Shkencave dhe niveli i qasjes në shkrimin e tij asht i randësisë dhe i diskrecionit akademik. Unë nuk mund t’i përgjigjem Auron Tares, sepse ai, që në fillim, shpall inkompetencën në dallimin e vlerave letrare, për të cilat dhe mbahen nalt këta dy autorë të shek. XX.

Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni që Akademia ta ndjejë për detyrë të sajën të na jape sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çështjes dhe, në vijim, të dale para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me nji konkluzion shterrues.

Çështja ka dale në facebook, por nuk asht i denjë ky rrjet social të mbajë gjithë peshën dhe seriozitetin e këtij diskutimi. Imagjinoni se çfarë do t’i ndodhte dikujt prej studiuesve, sikur ai të përpiqej të asgjasonte me nji të rame të shkopit Pashko Vasën, treshen Frashëri dhe Ismail Qemalin me argumentin real se ata paskëshin qenë nëpunës të naltë dhe pjesë e aparatit shtetnor të perandorisë osmane, përgjegjëse kjo, ma së paku, për çeuropianizimin e botës shqiptare.

Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hjedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mënxyrash që asgjasonin fizikisht por edhe moralisht, do ta paqëtone tek njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojtë individualisht e sporadikisht atë pjesë të kuturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës.

Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore. Heshtja e Akademisë ku ju bani pjesë, do të ishte nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor. Uroj që Akademia ta konsiderojë si të ligjshme dhe të arsyeshme këtë kërkesë dhe, kësisoj të vërtetohet, se ndryshimet në udhëheqjen dhe rekrutimi i elementëve të rinj që ndodhi para pak ditësh, të mos kenë qenë formale”./ I.M-Dritare.net