
Opozita bojkoton mbledhjen e Këshillit Politik: I papranueshëm propozimi i PS
Dritare.net
Përfaqësuesit e opozitës kanë bojkotuar mbledhjen e Këshillit Politik. Ata janë shprehur kundër draftit të Partisë socialiste, që propozon listat 100% të hapura si dhe uljen e pragut për koalicionet në 3%.
Bylykbashi u shpreh se:
“PS insiston të ndryshojë konsensusin. Për këtë ka mos dakordësi dhe ne kërkojmë nga PS që nëpërmjet këshillit t’i drejtohemi OSBE. Presim sot përgjigje. Sapo Gjiknuri të bjerë dakord vazhdojmë. Por ne nuk lëvizim nga ajo pa marrë një përgjigje. Marrëveshja është themeli i funksionimit të këshillit” tha Bylykbashi.
Ndërsa Hajdari u shpreh se propozimi i PS-së, ëshjtë i papranueshëm dhe se ajo po bën hapa pas.
"Propozimi i PS është një propozim i papranueshëm, dhe të kuptoni që kërkon të mos hapë listat dhe ata thanë se kanë merak përzgjedhjen e grave në parlament. Po ta shikoni renditja e kandidatëve të rri e njëjtë dhe vetëm një kandidat preferencial të vijë nga jashtë që do të thotë se listat janë praktikisht të mbyllura. PS po bën një hap pas, nuk është kjo lista e hapur dhe ajo që kërkojnë qytetarët", tha Hajdari.
"Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar.
Një në tre emra të njëpasnjëshëm i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar.
Pragu elektoral për koalicionet zgjedhore është 3 % dhe është i njëjtë me pragun elektoral që duhet të plotësojë një parti politike që konkuron e vetme në zgjedhje", thuhet në draftin e PS./L.F-dritare.net

















