Nuk mund të vish këtu dhe të na ofendosh/ Erion Braçe përplaset me Agron Shehajn
Dritare.net

Mbledhja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me tensione dhe debate të forta mes deputetëve, ku në qendër të përplasjes u përfshinë Agron Shehaj, kryetarja e komisionit Milva Ekonomi dhe deputeti socialist Erion Braçe.
Gjatë seancës, Agron Shehaj kërkoi fjalën, por kryetarja Milva Ekonomi iu përgjigj se prioritet për diskutim kanë anëtarët e përhershëm të komisionit dhe më pas anëtarët zëvendësues. Shehaj kundërshtoi duke thënë se është anëtar i komisionit, por Ekonomi sqaroi se ai është anëtar zëvendësues.
“Jam anëtar i këtij Komisioni,” u shpreh Shehaj, ndërsa Ekonomi iu përgjigj: “Jeni anëtar zëvendësues. E ka fjalën zoti Braçe që është anëtar i përhershëm, më pas ju.”
Pas këtij momenti, debati u përshkallëzua edhe më tej. Kryetarja e komisionit e akuzoi Shehajn se vetë po e përjashtonte veten nga puna e komisionit, ndërkohë që theksoi se ai nuk kishte marrë pjesë në seancat e mëparshme.
“Nuk jeni anëtar si gjithë të tjerët, jeni zëvendësues… Fjalën e keni pasi të sqarohemi ne që po punojmë për këtë gjë”, tha Ekonomi.
Nga ana tjetër, Shehaj e akuzoi kryetaren për sjellje jo serioze në drejtimin e komisionit.
“Më ndërpretë fjalën. Ju mendoni se jemi në shkollë ose kopsht… Mos e bëni këtë komision më qesharak seç është,” u shpreh ai.
Në debat ndërhyri edhe deputeti Erion Braçe, i cili ngriti tonet ndaj Shehajt.
“Nuk vjen dot këtu dhe të na ofendosh ne,” tha Braçe, ndërsa përplasja verbale vazhdoi me kundërpërgjigje nga Shehaj: “Qetësohu ti. Po flas me kryetaren.”
Situata eskaloi në tone të ashpra, ku Braçe kërkoi edhe fikjen e mikrofonit të Shehajt: “Ka mundësi t’ia fikni atë mikrofon?”
Debati i ashpër shkaktoi tension në sallën e komisionit dhe ndërpreu për disa minuta rrjedhën normale të mbledhjes./L.F-dritare.net