Nga tuneli i Llogarasë, te porti i madh i jahteve/ Kryeministri lajmëron nisjen e projekteve të reja, në Vlorë
Dritare.net
Kryeministri, Edi Rama ka lajmëruar nisjen e një sërë projektesh për Vlorën. Pasi dha lajmin se në tetor rinis procesi për Aeroportin e Vlorës, kryeministri tha se shumë shpejt do të ndërtohet edhe porti i madh i jahteve, apo tuneli i Llogarasë. Rama u shpreh se në pjesën e parë të vitit 2021 do të nisë ndërtimi i tunelit të Llogarasë. Sot u prezantua edhe projekti “Parku i Shtëpisë së Pavarësisë”.
"Më në fund do të dalë në dritë shtëpia më e rëndësishme e Shqipërisë, e fshehur pas gardheve e kioskave prej dekadash të tëra; do mbillen shumë pemë e gjelbërim dekorativ, në një tjetër hapësirë fantastike për banorët, vizitorët, turistët. Për tunelin është bërë gara e projektit, s’po vë data e muaj se për gjithçka mund të ndryshojë, por në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, ne do fillojmë ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ama pjesa nga Uji i Ftohtë në Orikum përmes Radhimës do rindërtohet e do bëhet një zonë që ata që kanë bizneset e shtëpitë të kenë forcë tërheqëse më te madhe. Duam që në Vlorë të kemi me miliona turistë në dhjetë vitet e ardhshme. E s’mund t’i mbajë as Lungomare as Sheshi i Flamurit, por gjithë zona që do ketë zemër Vlorën, por shumë pika të tjera, ku është edhe Orikumi, e po ashtu deri në Sazan.Porti i jahteve, e kemi diskutuar, për një port turistik, që sjell shumë punësim, ekonomi, e të sistemojmë portin e peshkatarëve, e të kemi dhe një terminal për tragetet në rast se porti turistik do të marrë jetë.”- tha Rama./K.C/dritare.net