Nga Skënderbeu te Kadare, Inteligjenca Artificiale rikthen figurat më të shquara shqiptare
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video të veçantë promovuese për Samiti i katërt i Diasporës, i cili do të mbahet më 13, 14 dhe 15 prill në Tirana.
Videoja e mirëseardhjes vjen si një krijim inovativ, ku përmes Inteligjencës Artificiale janë “ringjallur” disa nga figurat më të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare. Ajo përmbledh kontributin e gjuhëtarëve, shkrimtarëve, rilindasve dhe artistëve që kanë lënë gjurmë të thella në identitetin kombëtar.
“Parada” virtuale hapet me Gjon Buzukun, autori i veprës së parë në shqip, për të vijuar me vëllezërit Frashëri, të Rilindjes Kombëtare. Në vijim shfaqen figura madhore si Gjergj Fishta, i njohur si “Homeri shqiptar”, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, simbol i qëndresës, Ismail Qemali dhe Nënë Tereza.
Secili prej tyre paraqitet në mënyrë simbolike, duke u ulur në fron me shqiponjën dykrenare ose duke u ngritur për të përshëndetur, në një skenografi që ndërthur traditën me teknologjinë moderne.
Në këtë mozaik figurash përfshihen gjithashtu emra të shquar si Fan Noli, Faik Konica, Jeronim de Rada, si dhe artistë të mëdhenj si Marie Kraja, Ibrahim Kodra, Onufri, Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu dhe Pietro Marubi.
Në fund, skena i lihet “penës së artë” të letërsisë shqipe, me Ismail Kadare dhe Migjeni, për t’u mbyllur me Mithat Frashërin, ideologu i çështjes kombëtare.
Kjo video vjen si një ftesë simbolike për diasporën shqiptare në mbarë botën, duke lidhur të shkuarën me të tashmen dhe duke sjellë në vëmendje trashëgiminë e pasur kulturore në një formë moderne dhe frymëzuese./L.F-dritare.net
View this post on Instagram