
Nga Pekini në SHBA, ju tregoj ku mësohet shqip sot në botë! Flet Emil Lafe
Dritare.net
Në episodin e radhës të ciklit të emisioneve "Gjuha shqipe”, nga Rudina Xhunga në DritareTV, ishte i ftuar gjuhëtari i shquar, profesor Emil Lafe, i cili na paraqiti një panoramë të qartë të standardizimit të gjuhës shqipe. Profesor Emil Lafe u shpreh se në disa Universitete në botë ka katedra të mësimit të gjuhës shqipe.
"Kam qenë në disa Universitete në botë më tepër për gjuhën shqipe. Kam qenë në Shën Petërsburg ku ka qenë një katedër për studimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e themeluar në vitin 195.. Ajo vazhdon ende edhe sot, sepse studentët e gjuhësisë atje mësojnë gjuhësi të përgjithshme, por ju duhet të mësojnë edhe një gjuhë të rrallë dhe të vogël, të ndarë me vite çift dhe tek. Mund të ndodhë të jetë gjuha greke ose gjuha shqipe.
Më pas është në Pekin dhe pedagogu që punon atje e ka mësuar gjuhën shqipe këtu, ishte studenti im. Madje së bashku me këtë pedagog ishte edhe një vajzë ruse, e cila e mësoi këtu shqipen. Kina është vendi ku mësohet më shumë gjuha shqipe në botë.
Po ashtu te arbëreshët e Italisë, në Gjermani. Kam qenë në Universitetin e Bonit. Profesori gjerman që jepte mësimin e gjuhës shqipe e njihte mjaft mirë atë. Ka edhe në qytete të tjera në Berlin, në Lajpcig po ashtu. Në Amerikë ka shkolla të gjuhës shqipe, Peter Prifti ka një rol të madh në studimin e gjuhës shqipe në SHBA.
Ka një katedër në Francë, po ashtu edhe një katedër në Beograd, ku ka student serb dhe shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe. Ka në greqi dhe në Rumani. Në Hungari, po ashtu ka pasur një profesor që jepte mësime të gjuhës shqipe, i cili ka vdekur tani.",u shpreh profesor Lafe për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në DritareTV./M.T/dritare.net

















