Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Në Shqipëri mungojnë libraritë! Flet Anila Bisha, drejtuese e shtëpisë botuese "Mediaprint"

Në Shqipëri mungojnë libraritë! Flet Anila Bisha, drejtuese

Sot në Ditën e Librit Anila Bisha, drejtuese e Shtëpisë botuese "Mediaprint" e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV foli për prodhimet e reja të librave shqip për fëmijë. Ndonëse është krijuar mendimi se sa vjen e ka më pak prodhime të librave shqip, zonja Bisha thotë se është e kundërta. Ajo përmend disa prej prodhimeve të viteve të fundit, të autorëve që kanë pasuruar botën e librit me prodhimet e tyre dhe përkthimet në shqip. Megjithatë në studion e Shqip zonja Bisha ndau shqetësimin se letërsia e huaj, po konkurron fuqishëm prodhimet shqiptare për fëmijë. Teknologjia po ashtu, tha zonja Bisha, po i merr kohën që i dedikohej librave. Në vitet e fundit në librat për fëmijë, ilustrimet janë çelësi se si fëmijët të afrohen sa më shumë me letërsinë.

“Sot është një ditë e dedikuar për letërsinë për fëmijë. Prej vitit 1967, data 2 prill, ditëlindja e një prej shkrimtarëve më të dashur për fëmijë, Hans Christian Andersen, është shpallur dita e librit për fëmijë për të nxitur sa më shumë dashurinë për librin.
Është krijuar ideja që në vitet e fundit prodhimtaria për letërsinë shqipe ka rënë, por kjo nuk është e vërtetë. Ka disa libra të rinj të letërsisë për fëmijë si nga autorë shqiptarë të konsoliduar ashtu edhe nga shkrimtarë të rinj.
Por ka një shqetësim që e ndajmë të gjithë, letërsia e huaj po konkurron letërsinë shqipe. Edhe pse unë mendoj se nuk mundet kurrë që letërsia e përkthyer të zëvendësojë librat shqip për fëmijë.
Por nuk mund të mohojmë faktin që librat në gjuhën angleze janë më të shitura. Kjo vërehet edhe në librari, ka një hapësirë të madhe të dedikuar për librin në gjuhë të huaj. Ndaj e shikoj të domosdoshme nxitjen që duhet të bëjmë për librat në shqip, për gjuhën shqipe. Është e rëndësishme të dish dhe mësosh në gjuhë të huaj por nuk mundet të harrojmë shqipen.
Kjo është shqetësuese dhe një alarm për institucionet. Ne sot ndjehemi të rrezikuar dhe duhet të marrim masa. Por kështu një tjetër problem që unë mendoj është shumë i madh, është mungesa e librarive. Ka qytete që nuk kanë fare librari, siç është Kukësi. Vlora ka librari, por shumë pak për një qytet aq të madh.
Durrësi është një qytet që e do shumë librin, dhe pas Tiranës mban vendin e dytë për numrin e librarive.”, u shpreh zonja Bisha në Dritare TV./L.F-dritare.net