Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Në kërkim nga SPAK/ Durim dhe Valter Bami ndalohen në Dubai

Në kërkim nga SPAK/ Durim dhe Valter Bami ndalohen në Dubai

Dy vëllezërit Durim dhe Valter Bami janë ndaluar nga policia në Dubai.

Vëllezërit Bami ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohen nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që ka kryer vrasje, tentativë vrasje dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e një sërë ekzekutimeve të bujshme.

Autoritetet në Dubai kanë shoqëruar disa persona, mes tyre edhe Durim e Valter Bamin. Aktualisht atyre u janë marrë gjurmët e gishtave, për të provuar ligjërisht se bëhet fjalë për vëllezërit Bami. Në dosjen “Revanshi” të SPAK, Durim Bami rezulton se ishte kthyer në një armik të betuar të Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës, duke lidhur aleancë me klanin Duka dhe personazhe të tjerë të botës së krimit.

Durim Bami njihet si “i fortë” i Niklës, që ka trazuar politikën shqiptare. Në 2015-ën Bamit i kanë vënë eksploziv në makinën e tij tip “BMW X5″ me targa AA 858 IS, por nuk pati lëndime. Në 3 mars të 2015-ës ai është arrestuar nga policia për kallëzim të rremë pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.

Pas arrestimit ai tha se ishte vrasës me pagesë dhe ishte paguar nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin. I pandehur së bashku me Durim Bamin ishte Tom Doshi dhe Mark Frroku për të cilët Prokuroria kërkoi nga 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë. Po kështu 41-vjeçari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar mikun e Gentian Bejtjes, shtetasin Enver Stafukën, të zhdukur në 2015. Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes/K.C/dritare.net