Ndërprerja e energjisë në Ballkan, Komisioni Evropian nis hetim ndërkombëtar!
Dritare.net
Komisioni Europian ka paralajmëruar një hetim ndërkombëtar lidhur me incidentin në rrjetin e sistemit energjetik në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci, ka njoftuar zyrtarisht ministri Sasha Mujoviq.
Zyrtarët malazezë pohojnë se shkaku i prishjes rajonale të sistemit elektroenergjetik është pasojë e ngarkesës së madhe dhe rritjes së konsumit ditor dhe temperaturave të larta dhe se nga një hetim ndërkombëtar nga Shoqata Zyrtare Evropiane e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit do të përcaktohet se nga kanë nisur problemet. I gjithë Mali i Zi, me përjashtim të një pjese të rajonit verior, një pjesë e madhe e Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë kanë mbetur pa energji elektrike dje rreth mesditës. Në raportimet e para, disa media rajonale raportuan se Mali i Zi ishte përgjegjës për gjoja shembjen në rajon, dhe më pas raportuan se kolapsi ishte shkaktuar nga problemet në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ministrja shqiptare e Energjisë, Belinda Baluku konfirmoi se kishte një dështim në interkoneksionin midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe se kishte dëgjuar për rrethana të ngjashme në Mal të Zi dhe në pjesë të Kroacisë dhe Bosnjës.
Hetimi do të zgjasë gjashtë muaj!
Zyrtarët kroatë, siç raportojnë mediat lokale, zyrtarisht njoftuan se kolapsi teorik mund të kishte goditur të gjithë Evropën, sepse sistemet energjetike janë të lidhura dhe se është e papërgjegjshme të bëhen supozime para hetimit zyrtar nga organet evropiane, i cili zakonisht zgjat gjashtë muaj.
"Ne jemi dëshmitarë të një prishjeje rajonale të sistemit elektroenergjetik dhe të fajësosh Malin e Zi për këtë do të ishte jashtëzakonisht e gabuar. Problemi u ngrit si rezultat i një ngarkese shumë të madhe, rritjes së ngarkesës ditore dhe temperaturave shumë të larta. E gjithë kjo çon në fakti që rryma nuk mund të transmetohet siç duhet dhe po vijmë tek ajo që ndodhi sot”, tha ministri i Energjisë Sasha Mujoviq në një fjalim zyrtar për mediat.
Drejtori i Qendrës Kombëtare Dispeçer, Ranko Rexhiq, në konferencën për media tha se nuk kanë informacion se çfarë ka ndodhur saktësisht.
"Kjo do të përcaktohet nga Shoqata Evropiane e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit, e cila është pjesë e Komisionit Evropian. Ata do të kenë informacion të detajuar dhe të saktë pas hetimit”./M.K-dritare.net