Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndahet nga jeta pedagogia dhe ish-deputetja e PS, Edlira Haxhiymeri!

Ndahet nga jeta pedagogia dhe ish-deputetja e PS, Edlira Haxhiymeri!

Ndahet nga jeta ish-deputetja e PS dhe pedagogia Edlira Haxhiymeri, lajmi është bërë me dije nga familjarët. Haxhiymeri vuante prej 5 vitesh nga një sëmundje e rëndë dhe nuk mundi të fitojë betejën. Haxhiymeri ka qenë për disa vite deputete e PS. Që nga viti 1987 ajo ka dhënë mësim në fushën e psikologjisë dhe ka punuar prej 30 vitesh pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale.

Gjatë 22 viteve të fundit ajo ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese në arsimin e lartë, si përgjegjëse e Departamentit të Punës Sociale, anëtare e Senatit të Universitetit të Tiranës, zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës dhe zëvendësministre e Arsimit. Kontribuoi për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë dhe zhvillimin e programeve të studimit në fushën e punës sociale në Universitetin e Evropës Juglindore të Maqedonisë së Veriut. Ishte anëtare e disa shoqatave profesionale ndërkombëtare të fushës së arsimit dhe të punës sociale. Pati një përvojë të pasur në koordinimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta ndërkombëtare në fushën e arsimit. Edlira botoi si autore dhe bashkautore shumë artikuj në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, botoi tekste shkollore dhe universitare.

Edlira spikati për aktivizmin e saj për të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve dhe të grave. Ajo ishte drejtore ekzekutive e Strehëzës për gra dhe vajza të dhunuara, në Tiranë. Ajo luftoi për kauza të rëndësishme të shoqërisë dhe në veçanti të familjes shqiptare.
Edlira pati një angazhim politik në Partinë Socialiste dhe u pozicionua me një mendim ndryshe. Ajo ishte prefekte e Qarkut të Tiranës.

E gjithë jeta e Edlirës u karakterizua nga humanizmi, aktivizmi dhe profesionalizmi. Me shembullin e saj ajo ndriçoi dhe ndryshoi jetën e shumë njerëzve. Edlira do të kujtohet si një ndër personalitetet e shquara të botës akademike dhe gratë e suksesshme të Shqipërisë./M.T/dritare.net