Momente paniku në Bergamo. Rumuni tenton të rrëmbejë foshnjen në supermarket!
Dritare.net

Momente paniku janë regjistruar në një supermarket në Bergamo, ku një vajzë 18 muajshe u sulmua teksa po dilte nga dyqani me prindërit e saj.
Ngjarja ndodhi në ambientet e supermarketit Esselunga. Sipas rindërtimit të ngjarjes, familja po largohej nga dyqani kur një burrë 47-vjeçar, me shtetësi rumune dhe pa vendbanim të përhershëm, iu afrua papritur. Ai e kapi të miturën nga këmba e djathtë dhe e tërhoqi me forcë, duke tentuar ta shkëpuste nga nëna e saj. Nëna nuk e lëshoi vajzën, duke arritur të pengojë rrëmbimin.
Episodi, i cili zgjati vetëm pak sekonda, por ishte jashtëzakonisht i rëndë, u filmua nga kamerat e sigurisë së supermarketit. Babai i fëmijës, së bashku me rojet e sigurisë dhe disa klientë të pranishëm, ndërhynë menjëherë dhe arritën ta neutralizojnë agresorin deri në mbërritjen e policisë.
47-vjeçari u arrestua nga autoritetet me akuzat për tentativë rrëmbimi të personit në rrethana rënduese dhe plagosje të rënduar. Ai është dërguar në burg, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Si pasojë e tërheqjes së dhunshme, foshnja ka pësuar thyerje të femurit dhe është transportuar në spital për trajtim mjekësor. Sipas informacioneve paraprake, ajo nuk ndodhet në rrezik për jetën./L.F-dritare.net
View this post on Instagram