Mjerimi i një proteste dhe rreziku që mbart e ardhmja
Dritan Hila

Nga Dritan Hila
Dëshmi e gjendjes së rënduar psikologjike të popullatës nga karantinimi i zgjatur, është fakti që ka njerëz që mbrojnë protestën e djeshme e udhëhequr nga një grup me në krye Altin Goxhajn që shohin komplot ndërkombëtar të drejtuar nga Sorros dhe së fundmi Bill Gates edhe në prishjen e motit, dhe një grupi të gatshëm të frustruar për vëmendje që protestojnë ndaj një qeni të ngordhur rrugëve në Ndoq apo maceje të keqtrajtuar në Paskuqan.
Janë pasqyrë e varfërisë mendore të një vendi post tranzicion, kur ndërsa bota ka dishepuj kundërshtie Henry Levy me shokë, ne na ka mbetur tek ca njerëz gjysmakë në formimin arsimor.
Ndërsa kundërshtia në botë ndaj karantinës ka lidhje me vështirësitë ekonomike dhe krizën që mund të sjellë, por në fund ka mbizotëruar logjika e shëndoshë e prapavijës shkencore që këshillonte qeveritë, tek ne çeta plakë e protestave shikon vendosjen e diktaturës se Edi Ramës.
Parë në rrafshin shqiptar, masat e marra nga qeveria në kushtet e një sistemi spitalor të brishtë, me kulturë qytetare të cekët, ishte pak e vonuar vendosja në karantinë. Rregullat e nxjerra në rrugë e sipër për distancimin social, dhe zbatimin e masave parandaluese nganjëherë ishin groteske ashtu si në çdo vend të botës ku edhe vetë OBSH ishte e çorientuar nga ky sulm i papritur dhe panjohur. Mes tyre pati të pakuptimta si ai që një familje nuk mund të udhëtonte në makinë; apo të tjera logjike që u interpretuan nga popullata në mënyrë shqiptare ku fasha orare e lënë për të përmbushur nevojat jetike duke ruajtur distancat sociale, u konceptua si mundësi shëtitjeje. Pa lënë mënjanë interpretimet e bëra prej intelektualëve shqiptarë të vijës së parë të luftës kundër diktaturës që po vendoset. Por në fund shumica e tyre funksionuan. Kanë funksionuar relativisht pasi numri i të infektuarve tek ne ka ardhur në rritje.
Rrugë të ngjashme me tonën kanë ndjekur edhe vendet e Ballkanit, të cilat nuk kanë kapacitetet mjekësore të perëndimit dhe as kulturën e higjienës së tij, por padyshim janë më mirë se ne nga pikëpamja spitalore. Për fat edhe aty ka funksionuar.
Edhe ne botë, si shkak i presionit të prapavijës së minorancave me ambicie politike, që kërkon të shfrytëzojë fatkeqësitë natyrore për qëllimet e tyre, nuk kanë munguar problemet por në fund ka mbizotëruar arsyeja shkencore. Kundërshtarë të thekur të karantines si kryeministri anglez apo presidenti amerikan, janë detyruar të dëgjojnë personalitete e shkencës.
Statistikat e instituteve serioze në botë treguan se kjo sëmundje është vrasëse. Mjekët vetë që ishin në vijën e parë të luftës u trembën nga agresiviteti i saj dhe pafuqia për ta luftuar. Kush u tregua i pakujdesshëm, u penalizua me vdekje.
Në këtë moment që shkruajmë, kërkuesit shkencorë nuk janë të bindur qe hapja nuk do sjellë një hekatombë njerëzore, për më tepër kur nuk dihet ende plotësisht sjellja e virusit me ndryshimin e klimës, mutacionet që mund të pësojë dhe deri shtresat e popullsisë dhe gradën e infektimit që mund të kapë. Sot flitet që mund të infektojë edhe fëmijët madje edhe më shumë se në mushkëri.
Ndërkohë presioni i ekonomisë po detyron qeveritë që të munden të gjejnë një të mesme të artë mes krizës që kërcënon dhe numrit të vdekjeve që priten. E megjithatë BE nuk do ti hapi kufijtë dhe as vendet që kanë një pjesë të mirë të GDP nga turizmi, nuk po tregojnë ngutje në hapjen e sezonit. Deri edhe ditë të shenjta si ajo e 9 Majit për Rusinë, u anuluan festimet. Për fat në shumicën e udhëheqësve botërorë po mbizotëron logjika e burrit të shtetit, përballë atij të populistit.
Në Shqipëri, nisur edhe nga niveli banal i një pjese të shoqërisë që beson më shumë tek nuskat apo të kënduarit nga hoxha në vesh, sesa tek autoritete shkencore, ka nisur një sulm ndaj mjekëve dhe infeksionistëve që gjenden në vijën e parë të përballimit me të keqen, duke i futur në hulli politike. Pavarësisht se Tritan Kalo është një kundërshtar i hershëm i politikave administrative në sistemin shëndetësor të kësaj qeverie, apo Pëllumb Pipero një mjek që nuk njihet për afinitet me Ramën, po synohet demonizimi i tyre dhe përdorimi politik.
Kjo është një gjetje shqiptare e cila mund ta dëmtojë rëndë vendin ne të ardhmen.
Krahu politik kundërshtar i qeverisë, ndërkohë ka treguar se i pëlqen ta shfrytëzojë këtë kauzë, pavarësisht se në një krah është mendimi shkencor dhe eksperienca botërore që po ndjek qeveria ndërsa në krahun përballë një tufë njerëzish që në radhët e tyre nuk kanë asnjë infermier.
Ne mund ta falim dhe mirëkuptojmë që në historinë tonë kemi pasur Haxhi Qamilë, për vetë kushtet e informacionit dhe arsimimit. Por të kemi një dejavu në vitin 2020 të këtyre fenomeneve, është dëshpëruese pasi tregon sa pak rrugë ka bërë ky vend në mendimin politik.
Mesa duket më pak për shkak të ekonomisë dhe brishtësisë së buxhetit, por më shumë për arsye se vetë kryeministri nuk do ta humbasë emrin e fituar si menaxhues i suksesshëm i krizës, do fillojë hapja. Në strategjitë e tij politike Rama tashmë e ka të qartë që nëse do të kemi një rikthim vrasës të pandemisë, mund t’ia lerë fajin për pasojat kundërshtarëve të tij.
E keqja jonë është se kjo karantinë nuk u perceptua për të nxjerrë mësime në sjelljen sociale por si një fatalitet. Ikën kohët kur edhe vetë gazetarë të opozitës apo liderë të saj, të frikësuar nga epidemia, të mbyllur në vilat e tyre në fshat apo bregdet, i kërkonin popullatës të zbatoheshin rregullat e karantinës. Tani shohin se po vendoset diktatura, e ca më keq ajo e oligarkisë financiare botërore. Mjerë ky vend dhe njerëzit e saktë të tij!/dritare.net