
Mjekja nuk i mban lotët kur flet për pacientët e intubuar: Duket e thjeshtë kur e shikoni nga shtëpia!
Dritare.net
I shohim të fortë, të ftohtë, por ndonjëherë ndodh edhe t’i shpëtojë ndonjë lot. Mjekët janë ata që në këtë kohë, kanë përcjellë një forcë të madhe dhe optimizëm se shpejt e gjithë kjo do të përfundojë. Por mjekja infeksioniste, Entela Kolovani, në një intervistë për News24 sapo kthyer nga spitalet e luftës, u përlot kur foli për pacientët dhe vendimin për t’i futur ata në intubim, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
“Ne jemi të organizuar me pavione, një prej të cilëve është një shërbim sub-intensiv dhe reanimacionin e shërbimit ku ndiqen pacientët që janë rëndë. Në ndjekje të këtyre pacientëve, në vijën e parë të luftës, janë jo vetëm mjekët, infektologë, por një armatë e tërë mjekësh reanimatorë. Këtë periudhë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, pasi bashkë me ta. Kanë qenë jo shumë të bërë mediatikë, të rojeve të shumta që bëjnë apo shërbim të zgjatur para pacientëve. Do sillja në vëmendje një video një intervistë të një mjeku që e pashë ditët e fundit. E kishte nxjerrë BBC në lidhje me momentin e intubimit të një pacienti, i cili kishte shprehur pesimizmin e tij se nuk do t’i shihte më familjarët e tij. Për të gjithë ata që flasin nga divani i shtëpisë, do të doja që të preknin me dorë këtë situatë. Të na ndihmonin nëse kanë ide më të mira. Janë të mirëpritur. Kemi nevojë dhe për njerëz që do donin që t’i jepnin një pikë ujë, apo ti ndërronin, apo t’i prisnin sekrecionet. Intubimi është një procedurë që e kemi konsideruar si moment ekstrem të këtyre pacientëve. Një pacient me COVID, nëse futet në intubim, do të ishte ndërhyrja ekstreme për ta shpëtuar. Kjo është një procedurë që është shpresë, por rezultatet i ka të ulëta”, u shpreh mjekja./L.F-dritare.net

















