
Mjekja e familjes : Shërbim 24 orë, pacientët me Covid-19 të kenë kujdes me antibiotikët!
Dritare.net
Adriana Ilias, mjeke familjeje, e ftuar në një emision televiziv, ka folur për pacientët me Covid-19 të cilët trajtohen në shtëpi.
Ajo ka theksuar se mjekët e familjes nuk neglizhojnë pacientët e infektuar me virusin e rëndë, ndërsa ka shtuar se shërbimi është 24 orë në ditë.
Mjekja ka këshilluar pacientët që të mos përdorin antibiotikë, por lëngje me shumicë, vitamina, si dhe paracetamol, nëse gjendja e tyre është më e rëndë.
“Pacientët na marrin në telefon, na thonë shenjat klinike, nëse është për të ardhur për vizitë, ne e njoftojmë të vijë në një orar të caktuar. Ne kemi hasur në vështirësi, jemi akuzuar, por e vërteta qëndron ndryshe, mjeku i familjes është non stop 24 orë, iu përgjigjet gjithë telefonatave të pacientëve dhe 90% e tyre marrin shërbimin më të madh nga ne. Pacientët i drejtohen mjekut të familjes ditën e tretë ose të katërt, kur kanë nisur më shumë shenjat, si temperaturë, kollë, djersitje. Nuk ka neglizhencë nga mjekët e familjes”, ka thënë mjekja.
Në lidhje me protokollin që ndiqet për Covid-19, ajo është shprehur se nuk ka një protokoll fiks pasi çdo pacient ka shenja të ndryshme. Mjekja ka folur gjithashtu për antibiotikët që marrin pacientët që trajtohen për Covid-19.
“Ne kemi bërë konferenca pa fund për Covid-in. Vendet perëndimore nuk përdorin antibiotikë të paktën deri në ditën e shtatë. Gjatë këtyre tetë muajve mua vetëm në dy pacientë më ka ndodhur të përdor antibiotikun, në të tjerët jo. Unë këshilloj paracetamol, lëngje me shumicë dhe vitamino-terapi”, është shprehur ajo.
Ndërsa mjekja ka përfunduar se shkollat duhet të mbahen hapur, për të mbajtur nën kontroll shëndetin mendor të fëmijëve. Sipas saj, pas 10 vitesh mund të përballemi me një gjendje depresive, duke parë atë që po kalojnë fëmijët tani./M.M-dritare.net

















