
Mjekët shqiptarë në vend dhe jashtë, një letër për Metën dhe Ramën: Kujdes me zgjedhjet në pandemi!
Dritare.net
Prej gati një viti, mjekë, infermierë, personel shëndetësor, shqiptarë nga e gjithë bota janë bërë bashkë në grupin në rrjete sociale “ Mjekët shqiptarë në luftë kundër Covid-19”, ku komunikojnë bashkë për gjetjen e zgjidhjeve dhe bashkëpunojnë në luftën kundër kovidit. Anëtarë nga ky grup si, Drilon Çupi, Alban Beltoja, Elona Çekani, Erjon Panajoti, Indrit Seferi etj, ishin të ftuar në emisionin Shqip show nga Rudina Xhunga në DritareTv, ku folën për virusin në Shqipëri, protokollet shëndetësore, vaksinat dhe çështje të tjera që lidhjen me pandeminë.
Ndërkohë sot, ky grup i ka shkruar një letër presidentit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në kohë pandemie. Ata shprehen se e shohin me shqetësim respektimin dhe mbarëvajtjen e masave antikovid, në vend. Duke qenë se shifrat e infektimeve, por gjithashtu edhe të viktimave janë në rritje prej javësh në vendin tonë, bluzat e bardha kërkojnë që secili me kompetencat që ka, të kontribuojë në respektimin dhe zbatimin e masave ndaj Covid-19 në Shqipëri.
Më poshtë letra e plotë nga grupi, “Mjekët shqiptarë në luftë me Covid-19”
Letër e hapur!
Drejtuar :
➢ Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së tij z. Ilir Meta
➢ Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste: z. Edi Rama
➢ Kryetarit të Partisë Demokratike: z. Lulëzim Basha
➢ Kryetares së Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim: Znj. Monika Kryemadhi
➢ Kryetarëve të partive politike pjesëmarrëse në Procesin Zgjedhor të
25.04.2021
➢ Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve:
Z. Ilirjan Celibashi
Të nderuar Zonja e Zotërinj, me rastin e afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, ku mijëra qytetarë po angazhohen në fushatën parazgjedhore e më pas përmes vullnetit të votës së tyre, do të kenë mundësi të zgjedhin ekipin e ri qeverisës, ne, personeli mjekësor, shohim me shqetësim respektimin dhe mbarëvajtjen e masave antiCovid, të cilat janë përcaktuar me ligj, pikërisht me votë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Duke qenë se shifrat e infektimeve të reja dhe akoma më tepër të vdekjeve, janë në një trend rritës shqetësues, donim t‘Ju drejtoheshim nëpërmjet kësaj letre të hapur, ku secili nga Ju, me kompetencat përkatëse, të kontribuojë në respektimin dhe zbatimin e masave ndaj Covid-19 në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj letre të hapur kërkojmë vëmendjen Tuaj në zbatimin e:
1- Urdhërit te ministres së Shëndetësisë Znj. Ogerta Manastirliu
Numër 633 të datës 17.11.2020 „Ndalohen grumbullimet me më shumë se 10(dhjetë) persona në vende të mbyllura dhe të hapura, në konferenca, tubime, mbledhje partiake, në ceremonitë e festive, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjare te ceremonive mortore“, në mbështetje të Ligjit Nr. 15/2016, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Per parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive“, Nenit 102, Pika 4, në mbështetje të Udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, “Me qëllim mbrojtjen e Shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga Covid-19“, Neni 7, në mbështetje të Ligjit 44/2015 „ Kodi i Proçedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë“, nenit 113, si edhe të vendimit nr. 4856 date 16.11.2020 të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
2- Përdorimit të detyruar të barrierave mbrojtëse (maskave),
bazuar në Aktin Normativ nr. 32 të Këshillit të Ministrave, datë 12.10.2020 “Për një ndryshim në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të nr. 32 datë 12.10.2020 i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”, të ndryshuar”, Neni 3, pika 23 si dhe sipas Udhëzimit nr. 1163/1 prot., datë 13.10.2020 të Insitutit të Shëndetit Publik “Udhëzues mbi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet jashtë shtëpisë” të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
3- Mbajtjes së distancës fizike prej 2 metrash, nga të gjithë personat, brenda dhe
jashtë ambjenteve të qendrës së votimit.
Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim duhet të vendosen edhe dezinfektuesit që duhet te përdoren nga votuesit në hyrje dhe ne dalje nga vendvotimi. Respektimi i rreptë i masave anti-Covid është pergjegjësi e stafit zgjedhor duke nënvijëzuar qe ky staf është përgjegjës për dezinfektimin dhe ajrosjen kohë pas kohë te qendrave te votimit dhe vendvotimeve si dhe për zbatimin e masave parandaluese gjatë procesit të votimit dhe atij të numërimit të votave.
4- Marrjen e masave të duhura organizative nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ),
për të regjistruar personat që janë të infektuar me SARS-CoV 2, ata që janë në karantinë apo izolim të detyruar, si dhe të kujdeset për përditësimin e listës së këtyre votuesve në kohë reale. KQZ duhet të ndërmarrë procedurat e duhura që personave të izoluar/karantinuar për tu mundësuar pjesëmarrja në votim.
5-Takimet, konferencat dhe mbledhjet zgjedhore me mbi 10 persona të mbahen në formatin elektronik,
për të evituar kontaktet fizike mes elektoratit duke u mbështetur ne Aktin NORMATIV Nr. 3, datë 15.3.2020, Neni 3, pika 2 „ për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjtjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19“ .
6-Grupet ne risk
Personat mbi 65 vjeç, si dhe ato që vuajnë nga sëmundje shoqëruese t’i shmangin aktiviteteve parazgjedhore sipas rekomandimeve te Organizatës Botërore te Shëndetësisë (OBSH).
Është momenti i duhur për të treguar që të gjithë bashkë, do mund t’ia dalim, të luftojmë këtë pandemi. Ju jeni faktorë të rëndësishëm në dinamikën e shoqërisë shqiptare dhe kjo sjell përgjegjësi ligjore e morale ndaj popullsisë që kërkon vëmendjen dhe angazhimin tuaj në mbrojtjen e shëndetit e të jetës së tyre. Një popull i shëndetshëm është çelësi për një të ardhme të mbarë, për të gjithë.
Me besimin që kërkesat tona do të merren ne konsideratë.
Me Respekt,
Mjekët shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë
1. Arjola Ustalli, mjeke pneumologe, Itali
2. Arvena Hila, mjeke reumatologe, Itali
3. Drilon Cupi, mjek internist/mjek urgjence, Gjermani
4. Elona Cekani, mjeke onkologe, Zvicër
5. Eni Dragoj, PhD, mjeke kardioanesteziste, Itali
6. Erjon Panajoti, mjek anestezist, Shqipëri
7. Ilir Halili, mjek pneumolog, Shqipëri
8. Indrit Seferi, Specialist i Shëndetit Publik
9. Roland Jovani, mjek pneumolog, Francë
10. Rubjona Xhani, mjeke neurologe, Itali
11. Vjosana Gosnishti, mjeke specializante në Obstetrikë-Gjinekologji, Gjermani
12. Xhuljeta Treska, mjeke neurologe, Gjermani." Kjo listë vazhdon të rritet, janë të shumtë mjekët, infermierët që po e firmosin në rrjetet sociale./L.F-dritare.net

















