
Miratohet rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë
Dritare.net
Sot është miratuar rritja e pagës minimale në vend, në vlerën e 30 mijë lekëve. Vendimi u mor sot në Këshillin Kombëtar të Punës. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se paga bazë minimale në shkallë vendi, është e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik.
“Rritja e pagës minimale ka qenë gjithmonë iniciativë e Qeverisë, në kuadrin e “Pagës së Denjë” për “Punë të Denjë”, duke patur në vëmendje edhe kërkesat e sindikatave, ndërkohë që “përgjegjësia sociale” e biznesit për punën e denjë, është e matshme përmes sigurisë së shëndetit në punë dhe veçanërisht me pagën reale dhe sigurimet reale shoqërore. Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM nr.809 date 26.12.2018, duke u rritur me 15.4 %", tha Ministrja Denaj, duke shtuar, se me këtë synojmë ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor./L.F-dritare.net

















